Kryesuesi i OSBE-së, Ministri Osmani, gjatë vizitës së tij në Azerbajxhan, e theksoi mbështetjen e tij dhe të Organizatës për zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Në takmin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov, në Baku, ai shprehu mbështetjen për iniciativat që e lehtësojnë dialogun dhe i qetësojnë tensionet, duke përfshirë masat e ndërtimit të besimit që çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Qëndrojmë prapa çdo përpjekjeje që ofron dinamikë pozitive për zbatimin e plotë të masave të dakorduara më parë dhe identifikimin e fushave të reja për marrëveshje. Inkurajoj angazhimin e vazhdueshëm dypalësh ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë drejt paqes dhe zgjidhjes së çështjeve kryesore si demarkacioni dhe hapja e linjave të komunikimit”, theksoi Osmani.
Në cilësinë e Kryesuesit të Organizatës më të madhe të sigurisë në botë, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në një kohë të vështirë të agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke theksuar se realiteti i errët drejtpërdrejt paraqet kërcënim serioz për OSBE-në, vlerat dhe parimet e tij.
Osmani e siguroi nikoqirin e tij se OSBE-ja do të ofrojë mbështetje në kërkimin e tyre për paqe të qëndrueshme duke vënë në dispozicion përvojën, ekspertizën dhe mjetet e nevojshme që i posedon Organizata rreth kësaj çështjeje.
“Njerëzit e vendit tuaj dhe të rajonit më gjerë e meritojnë këtë dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë përpjekjet tona duke përdorur mekanizmat ekzistues të OSBE-së, si dhe përmes ideve dhe qasjeve të reja. Në fakt, motoja e kryesimit tonë është “Fjala është për njerëzit” dhe ne përpiqemi për zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve që prekin azerbajxhanasit dhe armenët”, tha Osmani në takim me Bajramovin.
Me homologun e tij nga Azerbajxhani, Osmani ndau përvojat e Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj përmes platformave shumëpalëshe, duke theksuar se përparimi mund të arrihet vetëm përmes negociatave, ndërtimit të besimit të ndërsjellë dhe vullnetit politik.
“Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë dhe t’i mbështesim të gjitha palët në kthimin në tryezën e bisedimeve, e jo në fushën e betejës. Qëllimi im si Kryesues i OSBE-së është ta forcoj dhe thelloj bashkëpunimin, ta promovoj paqen dhe stabilitetin në këto kohë të pasigurta”, theksoi Osmani.