Në kuadër të vizitës së tij në Nju Jork, Kryesuesi i OSBE-së, njëherit Ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbajti brifing me gazetarë, ku e prezantoi agjendën e tij në SHBA dhe mesazhet kryesore që do të dërgohen në takimet me liderët botërorë.
Gjegjësisht, Osmani me ftesë të Kryesimit zviceran me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që filloi këtë muaj, sot pasdite do t'i drejtohet një seance të veçantë të Këshillit kushtuar prioriteteve të Presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe OKB-së - 30 vjet nga marrëveshja kornizë. Lidhur me këtë, Osmani në brifing theksoi:
“Po punojmë në dy trajektore në politikën tonë të jashtme. Njëra është Maqedonia e Veriut si Kryesuese e OSBE-së, përmes së cilës dërgojmë mesazhin tonë se si demokraci funksionale multietnike mund të ofrojmë mbështetje për proceset rajonale dhe globale të pajtimit dhe dialogut, dhe dëshmi për këtë është dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që u mbajt së fundmi në Ohër, por edhe vizitat e mia në cilësinë e Kryesuesit në rajonet tjera të OSBE-së në të cilat është i domosdoshëm forcimi i sigurisë dhe ruajtja e paqes stabile.
E dyta është Maqedonia e Veriut dhe BE-ja dhe aktiviteti ynë në lidhje me procesin e skriningut si dhe me procesin e ndryshimeve kushtetuese që vendi duhet t'i zbatojë”, tha Osmani në brifing.
Në kuadër të qëllimit të parë, kryesimit me OSBE-në, Osmani e vlerësoi fjalimin para Këshillit të Sigurimit si një mundësi e jashtëzakonshme për të paraqitur prioritetet e Maqedonisë së Veriut dhe thirrje për veprim për të gjithë liderët botërorë.
“Lufta që po zhvillohet në oborrin tonë, në Evropë, pasojat e së cilës janë të gjera dhe globale, kërkon veprim të menjëhershëm të përbashkët. Ne kemi nevojë për sinergji ndërmjet OSBE-së dhe OKB-së për të arritur paqen për brezat e sotëm dhe të ardhshëm- do të jetë një nga mesazhet kryesore që do të dërgoj nga Këshilli i Sigurimit", tha Osmani në brifing.
Sa i përket obligimeve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, Osmani theksoi se e gjithë energjia e shtetit dhe e institucioneve të tij synon përfundimin me sukses të këtij procesi.
Osmani tha se Ministria e Punëve të Jashtme është e përfshirë në procesin e përgatitjes së tekstit të ndryshimeve kushtetuese përmes përfaqësuesit të saj në grupin punues dhe ai personalisht në kërkimin e mbështetjes për këtë proces nga miqtë e Maqedonisë së Veriut nga skena ndërkombëtare.
“Skenari i zhvillimit të këtij procesi është përcaktuar sipas kornizës negociuese, por ju e dini thënien “Djalli është në detaje”. Ne duam të marrim parasysh mendimin e të gjitha vendeve anëtare, të menduarit e Republikës së Bullgarisë dhe dinamikën e procesit në mënyrë që t'i kemi të gjitha kombinimet para nesh. Nuk ka asnjë devijim nga ajo që është përcaktuar në kornizën negociuese, gjegjësisht me përfundimin e ndryshimeve kushtetuese duhet të hapet Kapitulli i Parë”, tha Osmani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese.
Formulimi i tekstit të ndryshimeve kushtetuese është duke vazhduar si aktivitet i grupit punues, pastaj pason debati publik në të cilin do të përfshihen të gjithë akterët shoqërorë dhe kjo do të jetë pjesa më thelbësore e debatit, tha Osmani.
“Kur qytetarët do t'i lexojnë amendamentet do të kuptojnë se për gjithçka që kemi qenë dëshmitarë paraprakisht, ka qenë pjesë e një propagande partiake-politike dhe përpjekje për të futur frikë te qytetarët, për të polarizuar shoqërinë, për të fituar pikë politike dhe mendoj se të gjitha ato tentativa do të dekonstruohen”, theksoi Osmani.
Lidhur me qëndrimin e opozitës, e cila nuk e përkrah procesin e ndryshimeve kushtetuese, Osmani ka përsëritur se vetë procesi do të tregojë se të njëjtat janë vetëm kalkulime partiake në llogari të së ardhmes së shtetit.
“Procesi i debatit publik do të jetë i hapur dhe transparent. Çdo qytetar do të ketë mundësinë të shprehë qëndrimet e tij, përfshirë edhe deputetë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. Kur të dalë e vërteta në pah, dhe atëherë kur të përgatitet teksti i ndryshimeve kushtetuese, të gjitha tezat e opozitës do të bien në ujë. Nëse vazhdojnë ta bllokojnë procesin, do të duhet t'u përgjigjen qytetarëve se pse po e pengojnë progresin e shtetit”, tha Osmani.