Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi së bashku me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi dhe të gjithë ministrat në Qeveri mbajtën konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë për të prezantuar ndryshimet ligjore që do t'i propozohen Kuvendit për realizimin e korridoreve 8 dhe 10d.
Në konferencën për shtyp mbajtën fjalim zëvendëskryeministri i Parë Grubi, ministrat për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, i Financave, Fatmir Besimi, zëvendësministri për Punë dhe Politikë Sociale, Enver Husejin.
Zëvendëskryeministri i Parë Grubi informoi se e gjithë Qeveria jep një mbështetje të qartë për realizimin e këtyre projekteve infrastrukturore.
“Duke parë bllokadën e dukshme dhe mbajtjen peng të ligjeve nga opozita, duke marrë parasysh interesat e qytetarëve për ndërtim të shpejtë, më të lirë dhe cilësor të autostradave, Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi shtatë propozim-ligje, të cilat do ti paraqesë para deputetëve në Kuvend.
Duke pasur parasysh faktin që BE-ja e ka shtuar Korridorin 8 në hartën e korridoreve evropiane dhe rëndësinë e tij gjeostrategjike dhe për shkak të debatit që po vazhdon prej kohësh në Kuvend, në Qeveri dhe në opinion, vendosëm që ligjet të propozohen me flamur evropian”, sqaroi zëvendëskryeministri i parë Grubi, i cili apeloi deri te deputetët që të heqin dorë nga bllokada dhe të mos rrisin çmimin e autostradave me mbi 150 milionë euro para të qytetarëve dhe të mos rrezikojnë projektet nacionale dhe strategjike, projekte vetëm për hir të një agjende ditore politike.
Ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski tha se vetëm para disa muaj, pas dekadash lobim, Qeveria arriti që së bashku me Bullgarinë, Shqipërinë dhe Italinë, Korridorin 8 të hyjë në hartën e korridoreve kryesore evropiane në Ballkanin Perëndimor dhe se vendimi është nëse do të jemi një udhëkryq dhe një rrugë kryesore evropiane në Ballkan apo në vend, do të mbetet një qarkore sepse të gjitha vendet po përshpejtojnë modernizimin e infrastrukturës së tyre.
„Ministria për Transport dhe Lidhje ka bërë ndryshime në dy ligje thelbësore dhe Ligjin për planifikim urbanistik dhe Ligjin për ndërtim.
Qytetarët duhet ta dinë se këto ndryshime ligjore nuk janë vetëm për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10d. Ato miratohen me qëllim për të përshpejtuar të gjitha procedurat për ndërtimin e rrugëve, për hekurudhën, për gazsjellësit, ndërtimet energjetike dhe ndërtime të tjera infrastrukturore me interes publik dhe nacional. Këtu përfshihen edhe projektet e financuara me mjete nga BE-ja edhe nga institucione të tjera financiare, ndërsa veçanërisht do t’i përmendja gazsjellësit magjistral dhe hekurudhën drejt Bullgarisë dhe Shqipërisë. Nuk ka shkurtim të azave gjatë ndërtimit. Me ndryshimet ligjore vetëm i përshpejtojmë procedurat dhe i ulim afatet për shkak të efikasitetit dhe ekonomisë në ndërtim.
Në Ligjin për planifikim urbanistik, me propozim-ndryshimet bëhet parashikim i tipit të ri të projektit urbanistik për ndërtime me interes strategjik dhe rregullohet përpunimi, procedura për sjelljen dhe zbatimin e këtij projekti urbanistik. Dallimi nga procedura standarde, në raport me këtë projekt urbanistik për ndërtim me interes strategjik është ajo që afatet për veprim të institucioneve dhe furnizim të dokumentacionit të nevojshëm janë më të shkurta për shkak të realizimit të shpejtë në terren. Ndryshim i ri është që projekti i kompletuar urbanistik për ndërtime me interes strategjik dorëzohet deri te Qeveria dhe Qeveria e miraton.
Lidhur me Ligjin për ndërtim, pranojmë model të ri të ndërtimit me faza ku Realizuesit i japim të drejtë në të njëjtën kohë të projektojë dhe të ndërtojë. Ndryshimet e këtij ligji e lehtësojnë këtë proces dhe i përshpejtojnë ndërtimet. Si dhe në ligjin e tashëm edhe me ndryshimet, duhet të kemi kujdes në të gjitha fazat e ndërtimit. Realizuesi përgatit projekt të plotë bazë me të gjitha fazat si dhe deri më tani dhe ai projekt duhet të konfirmohet me revizion pozitiv. Kemi pasur kujdes në aspektin sizmologjik përmes marrjes së mendimit nga institut kompetent për sizmologji. Vetëm në këtë mënyrë realizuesi me projekt urbanistik paraprakisht të miratuar do të mund të hyjë dhe trase dhe të ndërtojë. Dallimi i vetëm është në atë që në kohë e ulim procedurën administrative sepse investitori do të mund të fillojë me ndërtim në faza të pjesëve individuale të akseve rrugore që janë pa pengesa ligjore pronësore. Ajo që është e rëndësishme, është se në fund të ndërtimit, Ministria për Transport dhe Lidhje jep miratim për shfrytëzim, por paraprakisht duhet të bëhet kontroll teknik dhe të përcaktohet nëse ndërtimi është ndërtuar në përputhje me projektin dhe të certifikuar nga një inxhinier mbikëqyrës. Nëse gjithçka është në përputhje me projektin, lëshohet një leje përdorimi për atë autostradë, hekurudhë ose gazsjellës. Jam i sigurt se me këtë model do të arrijmë rezultate optimale në ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit të infrastrukturës”, sqaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi deklaroi se ndryshimet e ligjeve janë në drejtim të realizimit më të shpejtë dhe shpenzimeve më të ulëta për këtë projekt strategjik që është me interes nacional.
“Me ndryshimet e Ligjit për eksproprijim thjeshtësohet procedura për eksproprijim dhe precizohen dispozitat që në praktikë u treguan se nuk janë mjaft të qarta. Ndryshimet janë në interes të qytetarëve dhe i mbrojnë të drejtat e tyre dhe nuk do të thotë se do të mundësojë legalizim të objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale.
Legalizimi i i objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa për të cilat është parashtruar kërkesë zhvillohet në përputhje me zgjidhje ligjore të miratuar në vitin 2011 dhe ndryshime të bëra më vonë. Ajo që mundësohet me ndryshimet e Ligjit, që sot u miratuan në mbledhje, është se qytetarët për pronë që do të jetë lëndë e eksproprijimit, ndërsa jetojnë në të, do të kenë të drejtë për kompensim të qirasë në periudhën prej 12 + 6 muaj”, theksoi ministri i Financave Besimi dhe shtoi se ndryshimet që propozohen do të zbatohen për të gjitha projektet ku ka proces të eksproprijimit.
Zëvendësministri për Punë dhe Politikë Sociale, Enver Husejin duke potencuar rëndësinë e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10d, theksoi se nevojiten ndryshime në Ligjin për marrëdhënie pune.
“Ndryshimi i parë ka të bëjë me dispozitën që i referohet punës jashtë orarit, gjegjësisht për shkak të nevojës për vazhdimësi në punën e këtij projekti, imponohet nevoja për punë jashtë orarit, e cila mund të zgjasë më shumë se tetë orë në javë dhe 190 orë në vit. Punonjësit mbrohen me Ligjin për marrëdhënie pune dhe çdo orë jashtë orarit do të paguhet 35% sipas ligjit dhe kontratës kolektive. Çdo punonjës do të nënshkruajë një deklaratë nëse dëshiron të punojë jashtë orarit dhe nëse nuk dëshiron, nuk do të detyrohet të punojë jashtë orarit. Sipas Ligjit, punonjësit kanë të drejtë për pushim ditor dhe javor”, tha zëvendësministri Husejini dhe shtoi se puna jashtë orarit do të varet edhe nga aktivitetet dhe proceset e punës në rrugë, që do të thotë se do të ketë ditë që nuk do të ketë nevojë aspak për punë jashtë orarit.