Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska dhe kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, sot pas 15 viteve nënshkruan kontratë të re të përgjithshme kolektive për rritje të qëndrueshme të pagave në sektorin publik.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së përgjithshme kolektive ishte pika e vetme e mbledhjes së 12-të të Këshillit Ekonomik dhe Social, të cilën e kryesoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, ku mori pjesë edhe Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, Razmena Cekiq - Duroviq, sekretare shtetëror e Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësues të sindikatave - anëtarë të Këshillit ekonomiko-social, sindikata jo përfaqësuese, përfaqësues të Organizatës së punëdhënësve dhe përfaqësues të institucioneve.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ia doli në atë që ishte e paarritshme deri më tani, arriti të hap një faqe të re në histori dhe për herë të parë pas 15 vitesh tryezën e njëjtë me sindikatat dhe të gjithë të interesuarit, së bashku të gjindet një zgjidhje e qëndrueshme për pagat e sektorit publik.
“Sot këtu në hapësirat e Qeverisë duhet të nënshkruhet Marrëveshja e re e Përgjithshme Kolektive, që është rezultat i bisedimevetë suksesshme dhe dialogut tonë të hapur me sindikatat, i cili prezanton një zgjidhje sistematike për pagat në sektorin publik, një zgjidhje që garanton rritjen e pagave. Së bashku me sindikatat arritëm deri te zgjidhja sistematike për rritjen e pagave dhe pensioneve, e cila nuk do të varet nga vullneti i asnjë partie politike, as tani, as në të ardhmen!", theksoi Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski.
Ai theksoi se të punësuarit në agjenci të ndryshme, fonde, komuna, shkolla, kopshte dhe të gjithë punonjësit e tjerë në institucionet nga sektori publik, nga shtatori i këtij viti do të kenë rritje prej 10% në pagat e tyre ekzistuese, si dhe pagesën e regersit për pushim vjetor për vitin 2023 prej 10.000 denarë, të cilat do të paguhen deri në fund të vitit.
"Nga muaji mars i vitit 2025 do të zbatohet një Metodologji e re e pagave. Në Kontratën e re të përgjithshme kolektive kemi paraparë pagesën e minimumit K-15 në vlerë prej 30 për qind të neto pagës mesatare. Treguam se kujdesemi për të gjithë, kujdesemi për qytetarët tanë, puna e tyre duhet vlerësuar siç duhet. Prandaj kemi dhënë zgjidhje afatgjata, me të cilat kemi mundësuar rritje të vazhdueshme të pagave”, theksoi Kovaçevski.
Në konferencën për shtyp, ministrja Trençevska theksoi se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, e cila po nënshkruhet pas 15 vitesh, paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të avancimit të të drejtave të punës dhe konfirmim se dialogu social është veçanërisht i rëndësishëm për këtë Qeveri.
“Si Qeveri dhe Ministri kompetente për çështjen nga fusha e punës, dialogun në shoqëri e ngritëm në nivel më të lartë për arsye se për çështjet e rëndësishme duhet të bisedohet së bashku dhe në mënyrë të hapur. Përmes diskutimit me partnerët socialë e miratuam metodologjinë për harmonizimin e pensioneve, vendimin për pagën minimale dhe rritjen e vazhdueshme të saj, ndërsa sot e zyrtarizuam vendimin për rritjen e pagave e të punësuarve në sektorin publik, dhe jo vetëm, por edhe metodologjinë që siguron rritje të vazhdueshme të pagave. Marrëveshja e përgjithshme kolektive rregullon edhe çështje të tjera që janë në drejtim të avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, vlerësimin e punës së punëtorit”, deklaroi ministrja Trençevska.
Në konferencën për shtyp, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomikë dhe investimeve Fatmir Bytyqi, theksoi: Pagat më të larta në administratën publike, sipas tij, janë kyçe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që realizohen ndaj qytetarëve dhe sektorit të biznesit, nxitjen e produktivitetit dhe novatorizmit, uljes së korrupsionit, promovimit të rritjes ekonomike, tërheqjen e profesionistëve dhe demonstrim të vlerave dhe përkushtimit në mbrojtjen dhe avancimin e interesit publik. Me sigurimin e pagës konkurrente ndërtohet një sektor i fuqishëm dhe profesional publik që do t’u shërbejë në mënyrë efikase dhe efektive qytetarëve dhe do të marrë pjesë aktive në krijimin e mjedisit të volitshëm afarist për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik", theksoi Bytyqi.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi e përshëndeti nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje, e cila është rezultat i një procesi më të gjatë bisedimesh dhe konsultimesh dhe paraqet një sukses të përbashkët për të dyja palët, të cilat patën një qasje serioze në gjetjen e kësaj zgjidhjeje sistematike që mundëson rritje të vazhdueshme të pagave dhe mbrojtje të standardeve të punonjësve.
“Qëllimi ynë si Qeveri është rritja e pagave, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Gjegjësisht, ajo që ne po nënshkruajmë sot, e cila tashmë fillon nga shtatori me pagesën e pagës në tetor, është vazhdimësi e rritjes së pagave që ka ndodhur në pesë vitet e fundit. Krahas rritjes së pagave në mars dhe shtator të këtij viti, e gjithë administrata ka pasur rritje pagash në vitin 2019. Në arsim pagat kanë pasur rritje në 2018, 2019, 2020, 2022 dhe 2023, në arsimin e lartë rritje në 2021, 2022 dhe 2023. Punonjësit në kulturë kanë pasur një rritje prej 20% dhe 18%. Mbrojtja sociale e fëmijëve me 10% dhe 15% në 2019 dhe 2022. Vitin e kaluar, pagat e punonjësve të drejtësisë u rritën me 15%, punonjësit në shëndetësi u rritën me 10%, 25% dhe 5%, ndërsa rritje të pagave kishte edhe në Armatë, MPB, strukturat e IPA-s dhe të ngjashme”, tha ministri Besimi.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, është shprehur i kënaqur me nënshkrimin e Marrëveshjes, e cila është vetëm fillimi i punës së përbashkët për përmirësimin e të drejtave të punës.
“Më kujtohet momenti kur patëm takimin e parë të punës dhe duhet të pranoj se mosbesimi mes institucioneve ishte i vogël, por me shumë punë, duke përmirësuar besimin reciprok, arritëm në nënshkrimin e Marrëveshjes së përgjithshme kolektive. Sot puna e punëtorit vlerësohet më shumë, tani duhet të punohet në përmirësimin e të gjithë ekosistemit, i cili do të përmirësojë shërbimet në sektorin publik. Për këtë qëllim, ne si ministri e linjës për Administratën Publike, do të punojmë në përmirësimin e mëtejshëm të këtij ekosistemi. Qëllimi i MPB-së është që të ketë një administratë publike që do të jetë dixhitale, transparente dhe e përgjegjshme”, tha Aliu.
Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafillov tha se me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive përfundon procesi i cili ka zgjatur tre vite, ndërsa 15 vite pas nënshkrimit të kontratës së fundit kolektive për sektorin publik.
“Është përmirësuar një padrejtësi ndaj të punësuarve në sektorin publik, të jenë pa Marrëveshje kolektive të përgjithshme në sektorin publik në të cilin të drejtat nga marrëdhënia e punës janë të rregulluara si themelore dhe më pas me marrëveshjet kolektive degëzore në nivel të punëdhënësve promovohen dhe përforcohen më tej. Po përmirësojmë një padrejtësi të madhe në pjesën e pagesës së pagesës së pushimeve.Kontratat do të thotë se më 1 shtator të punësuarit marrin 10 për qind pagë më të lartë, dhe regres për pushim vjetor prej 10.000 denarë deri në fund të këtij viti, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë 30 për qind të pagës mesatare”, theksoi Trendafillovi.
Ai bëri të ditur se të punësuarit në shëndetësi, arsim, armatë, polici dhe sektorët tjerë, për herë të parë do të marrin regres për pushim vjetor. Si dhe me këtë Marrëveshje të përgjithshme kolektive parashikohen edhe benefite të tjera, Një prej tyre është eliminimi i ndikimeve politike gjatë përcaktimit të pagave, gjegjësisht të gjithë punonjësit do ta dinë mënyrën se si do të rregullohen dhe rriten pagat e tyre në periudhën e ardhshme.