Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot morën pjesë në një manifestim me rastin e prezantimit të pajisjeve të reja laboratorike dhe rezultateve të projekteve kërkimore-shkencore në Fakultetin e Farmacisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Në këtë ngjarje, Kryeministri Kovaçevski në një deklaratë për media theksoi se pajisjet e reja laboratorike dhe projektet kërkimore-shkencore të Fakultetit të Farmacisë kanë kontribut të rëndësishëm në veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe në përgjithësi në zhvillimin e industrisë farmaceutike.
Me pajisjet në vlerë prej 450 mijë eurosh, të cilat i ka siguruar Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe një pjesë e Fakultetit të Farmacisë, siç theksoi Kryeministri Kovaçevski, po forcohen dhe zhvillohen potencialet dhe kapacitetet e katër laboratorëve të këtij fakulteti.
Një vend që investon në shkencë, tha Kryeministri Kovaçevski, investon në të ardhmen, rritjen dhe zhvillimin e tij, investon në kuadro të arsimuar që është konkurrues në botë. Njëkohësisht, kryeministri thekson se angazhimi i Qeverisë nuk është të eksportojë kuadro, por t'i mbajë në shtëpi.
“Për herë të parë pas 10 viteve, në vitin 2021 është zhvilluar Konkursi për financimin e projekteve kërkimore-shkencore për institucionet publike shkencore dhe janë miratuar 7 projekte me interes publik shkencor në vlerë mbi 300 mijë euro për shtatë institucione shkencore publike në vend. Është zhvilluar edhe Konkursi për blerjen e pajisjeve për laboratorë dhe akreditimin e laboratorëve për të gjitha subjektet që kryejnë punë kërkimore-shkencore, në kuadër të të cilit janë miratuar gjithsej 44 aplikime për financim. Pjesë e këtyre projekteve të miratuara janë edhe projektet e Fakultetit të Farmacisë, dhe laboratorët që punojnë këtu janë të certifikuar sipas të gjitha standardeve botërore dhe evropiane dhe mund të punojnë në kërkime që janë të vlefshme në BE dhe në vendet e tjera të zhvilluara. Këto janë projekte trevjeçare, vlera e të cilave është pothuajse 318 milionë denarë ose mbi 5 milionë euro, në të cilat mbi 70% është pjesëmarrja e shtetit në realizimin e projekteve”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Në deklaratë, Kryeministri Kovaçevski theksoi se po punohet paralelisht në disa nivele dhe se prioritet është përmirësimi dhe avancimi i gjendjes në përgjithësi në arsim.
Në këtë drejtim, u theksua se me Ligjin për Arsimin e Lartë të vitit 2018, universiteteve iu rikthye autonomia dhe u krijua Këshilli Nacional për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, si dhe Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë. Në të njëjtën kohë, në vitin 2021 u nënshkrua për herë të parë një Kontratë Kolektive, e cila siguron rritje të vazhdueshme të pagave.