Arben Taravari
Arben Taravari është neurolog dhe politikan i shquar me një karrierë të pasur. Ai ka lindur më 9 prill të vitit 1973.
Taravari përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku në vitin 2006 u specializua në fushën e neurologjisë. Në vitin 2011 përfundoi studimin e doktoraturës me temë “Shenjat klinike dhe gjenetika e Parkinsonit”, si dhe një specializim të dytë në mjekësinë familjare.
Karrierën e tij profesionale e fillon në Klinikën Universitare të Neurologjisë, ku nga viti 2016 deri në vitin 2017 është shef i departamentit për migrenë, dhimbje koke dhe sindroma të tjera dhimbjeje. Në qershor të vitit 2017 emërohet Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë, detyrë të cilën e mbajti deri në shtator të po atij viti.
Në vitin 2017, Taravari u zgjodh kryetar i Komunës së Gostivarit, ku me sukses e përfundoi mandatin e parë dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në vitin 2021.
Krahas karrierës politike, Taravari vazhdon të kontribuojë edhe në fushën e mjekësisë. Kështu nga viti 2022 ai punon si profesor në lëndën e neurologjisë pranë Klinikën Universitare të Neurologjisë. Në të njëjtin vit emërohet edhe ushtrues detyre kryetar i partisë politike Aleanca për Shqiptarët, duke vazhduar kështu angazhimin e tij në jetën politike të Maqedonisë së Veriut.
Taravari është poliglot dhe përveç gjuhës shqipe flet rrjedhshëm maqedonisht, anglisht, turqisht dhe serbisht.