Të nderuar përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë,
Të nderuar ministra për Shëndetësi, Dr. Taravari, dhe e Financave, znj. Dimitrievska Koçoska,
Të nderuar drejtorë, dekanë, përfaqësues dhe partnerë nacional,
Zonja dhe zotërinj,
Për mua është nder dhe kënaqësi e veçantë t'ju përshëndes në dialogun e sotëm politik, i cili është i një rëndësie të veçantë, sepse prek një temë domethënëse që është në interes të secilit prej nesh: sigurimin e qasjes në barnat bazë për të gjithë qytetarët tanë.
Ky tubim pasqyron përkushtimin e palëkundur të Qeverisë për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së çdo qytetari, angazhim ky që qëndron në thelb të misionit tonë.
Qasja në barna të sigurta, efektive, me cilësi të lartë dhe të qasshme nuk është vetëm një prioritet i kujdesit shëndetësor – por është e drejtë themelore që ndikon fuqishëm në mirëqenien tonë kolektive dhe angazhimin tonë për të përmirësuar cilësinë e jetës për çdo individ.
Kjo qeveri arriti një kthesë të rëndësishme me zgjerimin e listës Pozitive të barnave pas një pauze prej më shumë se dhjetë vjeçare. Kjo është dëshmi e përkushtimit dhe qasjes sonë proaktive dhe dëshirës për vazhdimësi në përballjen me një nga sfidat më urgjente në sistemin tonë shëndetësor. Megjithatë, edhe pse ky hap i ndërmarrë shënon përparim, përpjekjet tona nuk mbarojnë me kaq. Sfidat me të cilat përballemi kërkojnë punë të vazhdueshme, përkushtim dhe vendosmëri të përditshme.
Prioritet është që çdo qytetar të ketë qasje në barnat që i nevojiten pa u përballur me vështirësi financiare. Është detyra jonë të mbrojmë qytetarët dhe t'i shërbejmë popullit tonë.
Për të tejkaluar sfidat ekzistuese dhe për të arritur misionin e dëshiruar, duhet të punojmë pa u lodhur. Duhet të forcojmë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve qeveritare dhe të përfshijmë të gjithë partnerët përkatës. Kultivojmë bashkëpunim të thellë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Digjitalizimit, Fondit për Sigurim Shëndetësor, Agjencisë për Barna dhe Pajisje Mjekësore, Drejtorisë për e-Shëndetësi dhe aktorë të tjerë kyç.
Kjo qasje e përbashkët do të na mundësojë që të përballemi në mënyrë më efektive me sfidat ekzistuese dhe të zbatojmë zgjidhje të qëndrueshme.
Qëllimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë një sistem të kujdesit shëndetësor që pasqyron me të vërtetë angazhimin tonë për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e çdo qytetari.
Duke punuar së bashku me përkushtim, vendosmëri dhe qartësi, ne mund të tejkalojmë sfidat përpara nesh dhe të krijojmë një të ardhme ku qasja në barnat thelbësore nuk është thjesht një aspiratë, por një realitet për të gjithë.
Shpreh mirënjohjen time të gjitha institucioneve kombëtare dhe individëve për angazhimin dhe bashkëpunimin në këtë veprim jetik, si dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e sistemit shëndetësor të vendit tonë.
Së bashku, ne hapim rrugën drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për secilin prej qytetarëve tanë. Shteti duhet të krijojë për çdo qytetar.