Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, para fillimit të konferencës së organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (ISK) me temë “Institucionet përgjegjëse përmes transparencës së rritur dhe komunikimit politik”, në pyetjen e gazetarëve se si e vlerëson dorëheqjen e Damevës, tha se ky proces duhet të jetë dinamik, gjegjësisht kushdo që nuk do t’i përmbushte pritjet duhet të jetë i sinqertë dhe të largohet.
“Nuk do e shihja këtë si fillim apo fund. Mendoj se ky proces duhet të jetë dinamik, gjegjësisht kushdo që nuk i përmbush pritshmëritë duhet të jetë i sinqertë dhe të largohet. Pavarësisht se cili është roli i tij në shoqëri.
Vlerësoj që ky Këshill Gjyqësor dhe vlerësoj që drejtësia dhe prokuroria bashkë me besimin që kanë tek qytetarët nuk kanë patur sukses. Dhe kjo nuk duhet të jetë përjashtim, duhet të jetë rregull që në të ardhmen kushdo që nuk e arsyeton besimin e qytetarëve, duhet të largohet, pavarësisht se çfarë roli ka në shoqëri”, nënvizoi Mickoski.
Ai theksoi pritshmërinë e tij që prokurorët duhet të kenë një fokus më të madh në trajtimin e krimit dhe korrupsionit.
“Pra, pres që ata të kenë pak më shumë fokus në trajtimin me krimin dhe korrupsionin, por kjo vlen në radhë të parë për prokurorët të cilët në mes të veprimeve, kur duhet të nënshkruajnë një urdhër kërkimi apo arrestimi, do ta përsëris, kanë dhimbje koke, temperaturë të ngritur, ngërçe në stomak, diarre dhe ankth.
Lidhur me pyetjen se Prokurori Publik Shtetëror iu përgjigj thirrjes se do të bëjnë riorganizim në Prokurorinë Publike dhe se do t'i qasen lëndëve më të rëndësishme, Kryeministri Mickoski tha:
“Nuk dua të komentoj Prokurorin Publik të Shtetit, sepse shpesh më kanë pyetur, ju keni një shumicë komode, pse nuk veproni siç kanë vepruar në të kaluarën qeveritë kur janë zgjedhur. Unë u përgjigja se ne duam t'i japim një shans procesit dhe të shohim nëse më në fund mund ta fitojmë drejtësinë. Qytetarët me të drejtë janë të zemëruar me Qeverinë që nuk ka vepruar deri më tani, sepse është e logjikshme që qytetarët të mendojnë se ne si Qeveri duhet edhe të akuzojmë edhe të gjykojmë.
Kjo nuk është politika jonë, ndoshta e disa qeverive të kaluara, por nuk është politikë e kësaj Qeverie. Ne mund të përgatisim një çështje përmes organeve hetimore, Policisë Financiare, Drejtorinë për të Ardhura Publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme etj dhe t'ia japim Prokurorisë. Prokuroria është ajo që paraqet kallëzimin dhe më vonë, nëse Gjykata e pranon, gjykon. Ky nuk është shteti dhe kjo nuk më shkon në mendje dhe as nuk do ta bëj ndonjëherë.
Unë vetëm kam dërguar shumë mesazhe në opinion dhe do të vazhdoj t'i dërgoj drejt këtyre dy institucioneve dhe prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëjnë punën e tyre. Të mos jenë partnerë me kriminelët, qofshin kriminelë politikë apo të vërtetë të rrugës. Por të luftojnë krimin dhe korrupsionin. Dhe në fund pres që ata të fillojnë të bëjnë punën e tyre dhe të marrin rrogën që u japin qytetarët maqedonas, e cila nuk është pak”.