Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Të dashur miq,
Sot kam nderin të përshëndes kolegun tim, kryeministrin Viktor Orban, i cili së bashku me delegacionin e tij është në vizitë zyrtare dy ditore në vendin tonë.
Kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, të cilat po thellohen çdo ditë e më shumë.
Populli maqedonas dhe hungarez, qytetarët maqedonas dhe hungarez janë të lidhur me miqësi të rrënjosur dhe respekt të ndërsjellë. Gjatë viteve, popujt tanë kanë treguar se pavarësisht distancës gjeografike, vlerat dhe vizionet e përbashkëta janë gjithashtu të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të forta. Hungaria na ka mbështetur gjithmonë, si në kohë të vështira, ashtu edhe në përpjekjet për integrimin tonë evropian. Sot, përmes nismave dhe marrëveshjeve konkrete, kjo miqësi vazhdon të forcohet, duke krijuar themele të forta për bashkëpunimin tonë të përbashkët në të ardhmen.
Historia dëshmon për aspiratat tona të përbashkëta për paqe, prosperitet dhe bashkëpunim. Në të kaluarën, Hungaria ishte një nga partnerët tanë të parë që njohu aspiratat maqedonase për pavarësi dhe sovranitet. Prej vitesh më parë, lidhjet politike dhe ekonomike mes dy vendeve janë thelluar dhe takimet e sotme vetëm e konfirmojnë aleancën tonë strategjike. Hungaria nuk është vetëm partneri ynë në skenën evropiane, por edhe shembull se si një vend mund të balancojë me sukses sovranitetin kombëtar me integrimin global.
Hungaria ka qenë gjithmonë mbështetës i fortë i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe i aspiratave tona për anëtarësim të plotë. Ne ndajmë vizionin e përbashkët me miqtë tanë hungarezë për një Ballkan të integruar, ku të gjitha vendet e rajonit do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Ky vizion nuk i referohet vetëm integrimeve politike dhe ekonomike, por edhe lidhjes sonë të përbashkët kulturore dhe historike, e cila është kyçe për stabilitetit në gjithë Gadishullit Ballkanik. Besoj se me mbështetjen e Hungarisë dhe aleatëve tanë të tjerë, Ballkani do të zërë vendin e merituar në Bashkimin Evropian.
Sot patëm një takim konstruktiv tet-a-tet, ku diskutuam një spektër të gjerë temash me rëndësi bilaterale dhe rajonale. Ne kemi vizion të përbashkët për stabilitetin rajonal dhe prosperitetin ekonomik, dhe bisedimet e sotme u fokusuan në projekte specifike që do të nxisin zhvillimin e komunave dhe bizneseve tona.
Përveç kësaj, diskutuam për projekte strategjike si transporti Veri-Jug dhe korridori energjetik, i cili lidh Ballkanin me Hungarinë, i cili ka një rëndësi të madhe për sigurinë energjetike dhe rritjen ekonomike të të gjithë rajonit dhe bashkëpunimi ynë me Hungarinë do të jetë kyç për zbatimin me sukses të këtyre nismave.
Në emër të Qeverisë dhe në emrin tim personal, dua të falënderoj kryeministrin Orban për mbështetjen dhe miqësinë e tij.
Hungaria është shembull se si marrëdhëniet e forta bilaterale dhe vizioni i përbashkët mund të sjellin rezultate konkrete.
Besoj se kjo vizitë do të kontribuojë për një partneritet edhe më të fortë dhe për mundësi të reja për bashkëpunim, të cilat do t'i realizojmë në interes të qytetarëve.
Faleminderit edhe një herë për praninë tuaj.