Zëvendëskryeministri i angazhuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, takoi sot drejtorin programor të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, John Fluharty, me të cilin biseduan për bashkëpunimin e deritanishëm dhe planet e ardhshme.
Zëvendëskryeministri Fetai theksoi se Qeveria pret me kënaqësi të madhe bashkëpunimin me administratën e presidentit Donald Trump në realizimin e prioriteteve të përbashkëta si partnerë strategjikë. Fetai foli për rezultatet e punës së deritanishme të Qeverisë, veçanërisht në fushën e decentralizimit fiskal dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Ai falënderoi IRI-në për ndihmën e dhënë në përgatitjen e Planit të ri të Punës së Kabinetit për vitin 2025, me shpresën se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në procesin e zbatimit.
Drejtori i IRI-së Fluharti shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me Kabinetin Fetai, duke i uruar suksese në zbatimin e Planit për vitin e ardhshëm. Fluharty beson se është thelbësore që qeveria të tregojë se mund të punojë më mirë në interes të qytetarëve duke zbatuar Agjendën e reformave dhe duke përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Ai informoi edhe për aktivitetet e IRI-së në vitin 2025 në drejtim të forcimit të kapaciteteve të partive politike dhe rritjes së transparencës së Qeverisë.