Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në pjesëmarrjen e tij në emisionin “360 Shkallë”, duke folur për vizitën e tij në SHBA me rastin e inaugurimit të presidentit të ri amerikan, Donald Tramp, theksoi se karakteri i takimeve gjatë kësaj vizite ishte në nivelin më të lartë deri më tani.
“Delegacioni ishte sa më modest dhe nëse i krahasoni me delegacionet e mëparshme, ishte vërtet më modesti. Cilësia e takimeve ishte më e larta në krahasim me çdo herë tjetër. Po flas duke marrë parasysh karakterin e vizitës, përmbajtjen dhe njerëzit me të cilët zhvillova takime dhe kjo u dëshmua jo vetëm gjatë vizitës, por edhe në periudhën pas saj,” theksoi Mickoski.
Ai shtoi se për të personalisht ishte një nder i madh që ndoqi procesin e inaugurimit së bashku me kryetarin e Partisë Republikane të SHBA-ve, i cili aktualisht është personi i dytë më me ndikim pas presidentit Tramp.
“Për mua është një nder që këtë proces e ndoqa bashkë me kryetarin e Partisë Republikane, i cili, më duhet të them, më ftoi për vizitën time të ardhshme si shtetar dhe si kryetar partie në SHBA, që të kemi një takim të përbashkët, që për mua do të thoja për një shtet të vogël si yni, qoftë nga pikëpamja gjeografike apo gjeostrategjike, do të ketë mundësi të zhvillohet një komunikim i tillë,” theksoi Mickoski.
Ai gjithashtu shtoi se në takimet e realizuara në Uashington u diskutua për thellimin e bashkëpunimit bilateral me SHBA-të, për investimet në vendin tonë, si dhe për ambicien e Maqedonisë për të qenë pjesë e familjes evropiane.
“Në Uashington ne folëm për rëndësinë e Maqedonisë si shtet në rajon, folëm për ambiciet tona si Qeveri, për projektet tona, për thellimin e bashkëpunimit bilateral me SHBA-të, për mundësinë e investimeve tek ne dhe sigurisht për rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe ambicien tonë për të qenë pjesë e familjes evropiane, si dhe për sfidat me të cilat jemi përballur dhe po përballemi. Kështu që mendoj se nuk kemi një mundësi të dytë për të lënë një përshtypje të parë dhe është më së miri kur kjo ndodh në fillimin e mandatit të një administrate të re,” theksoi Mickoski dhe shtoi:
“Krijojmë lidhje të forta dhe miqësi, që, besoni, janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit.”
I pyetur nëse pret nga ekipi rreth presidentit amerikan mbështetje për rrugën e Maqedonisë drejt integrimeve evropiane, kryeministri Mickoski u përgjigj se absolutisht pret mbështetje dhe se këto takime shërbejnë pikërisht për këtë qëllim.
“Absolutisht, kjo është ajo që po them, se presim mbështetje konkrete me lëvizje të vërteta politike, e të shohim. Nëse nuk provojmë, nuk do ta dimë. E jona është të provojmë, të shkojmë kudo në botë për të kërkuar mbështetje, të krijojmë miq dhe aleatë. Ky është qëllimi ynë,” përfundoi Mickoski.