Zëvendës kryeministri Mexhiti takon kongresmenin Aderholt: Partneriteti me ShBA-në është edhe strategjik edhe vleror

Zëvendës kryeministri i Parë, Izet Mexhiti po vazhdon vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është takuar me kongresmenin amerikan Robert Aderholt. Mexhiti pas takimit ka deklaruar se me kongresmenin Aderholt janë pajtuar që forcimi e thellimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të jetë kryeprioritet i përbashkët.
“Ishte një nder i veçantë ta takoja në ShBA kongresmenin republikan nga Alabama, Robert Aderholt. Në një ambient miqësor, biseduam për shumë tema, secila më e rëndësishme se tjetra për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe raporteve tona bilaterale. U pajtuam që forcimi e thellimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të jetë kryeprioritet i përbashkët. Gjatë bisedës e rikonfirmova qëndrimin tonë tanimë të njohur se integrimi në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë dhe se Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti rajonal”, ka deklaruar Mexhiti. Ai më tej ka shtuar se duke qenë aleati kryesor i ynë, partneriteti me ShBA-në është edhe strategjik, edhe vleror. 
“Përkrahja e Amerikës është shtyllë e pazëvendësueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Maqedonië së Veriut. Prandaj, kongresmenin Aderholt e falënderova për ndihmën e vazhdueshme dhe mbipartiake të ShBA-së për vendin tonë”, ka përfunduar në deklaratën e tij Zëvendës kryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.