Premtuam dhe sot po e realizojmë atë që kemi premtuar. Sot niset treni i parë për Kumanovë dhe do të ketë dy udhëtime në ditë. Për më tepër, brenda vetëm gjashtë muajsh, nga asnjë lokomotivë, kemi arritur të vendosim në shina plot 14 lokomotiva dhe trena. Kemi një rritje prej mbi 75% të transportit të mallrave, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikoloski.
Ai, së bashku me menaxhmentin e Hekurudhave të Transportit, bëri një inspektim të njësive ku po riparohen lokomotivat e tjera të hekurudhës.
“Sot niset treni i parë nga Shkupi për në Kumanovë. Këtë e premtuam gjatë hapjes së linjës hekurudhore Kumanovë - Bellakovcë dhe ja që nga sot, në orën 16:30, do të niset treni i parë. Udhëtimi do të zgjasë 41 minuta dhe do të ketë dy udhëtime në ditë – në mëngjes, në orën 06:30, treni do të niset nga Kumanova dhe i njëjti tren do të kthehet përsëri për në Kumanovë. Do të kemi 4 trena në ditë, gjë që, besoj, do ta lehtësojë shumë komunikimin mes dy qyteteve dhe do t'u japë mundësi banorëve të Shkupit dhe Kumanovës të udhëtojnë më lehtë, qoftë për punë, arsim, shëndetësi apo ndonjë arsye tjetër. Kjo do të zvogëlojë ndotjen, do të ulë trafikun dhe, më e rëndësishmja, qytetarët do të dinë saktësisht kur do të arrijnë, në mënyrë që të kryejnë punët e tyre në kohë. Po ashtu, në disa ditë të caktuara, treni do të udhëtojë edhe deri në Bellakovcë, ndërsa nga viti i ardhshëm, kur të ndërtohet linja deri në Kriva Pallankë, do të operojë edhe deri atje,” – theksoi zëvendëskryeministri Nikoloski.
Ai nënvizoi se që nga qershori, kur morën pushtetin, është bërë një ristrukturim i madh i ndërmarrjes, ku nga zero lokomotiva, për vetëm disa muaj punë të përkushtuar, janë vënë në funksion 14 lokomotiva dhe trena.
“Në korrik, kur u zgjodhëm, Maqedonia praktikisht nuk kishte hekurudhë funksionale. Nuk kishte trena operativë dhe lokomotiva që mund të tërhiqnin mallra. Ky depo, në korrik, ishte i braktisur, askush nuk hynte në të. Kemi ndryshuar krejtësisht pamjen. Sot, brenda tij, ka njerëz punëtorë që riparojnë trenat që operojnë nëpër hekurudhat maqedonase. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023/2024, në sektorin e transportit të mallrave kemi një rritje prej mbi 75%. Ky është zemra e hekurudhës, sepse pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga transporti i mallrave. Po ashtu, edhe në sektorin e transportit të pasagjerëve, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023/2024, kemi një rritje prej 36%. Këto janë shifra dhe ndryshime të mëdha,” – theksoi zëvendëskryeministri Nikoloski.
Ai njoftoi se sfida për periudhën e ardhshme është të nisë shërbime trenash edhe për Tetovë dhe Gostivar, si dhe linjat për në Kërçovë, Shtip dhe Koçan.