Minçev: Reforma e administratës publike është prioritet kyç për integrimin evropian të Maqedonisë

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot mbajti fjalim në ngjarjen e dedikuar për prezantimin e Raportit të Monitorimit të SIGMA-s për vitin 2024, duke theksuar rëndësinë e reformave në administratën publike si një nga prioritetet kryesore në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
"Modernizimi dhe avancimi i administratës publike janë themeli i një sektori publik funksional, i cili është shtytësi i çdo shoqërie demokratike. Formimi i Ministrisë së Administratës Publike është një përgjigje strategjike e Qeverisë për të përshpejtuar reformat dhe për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën e institucioneve," theksoi ministri Minçev.
Ai shtoi se Raporti i SIGMA-s përfaqëson një mjet të rëndësishëm për vlerësimin e rezultateve të arritura deri më tani dhe për identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësim. Ministria po punon aktivisht në zbatimin e masave nga Strategjia për Reformën e Administratës Publike, me fokus të veçantë në depolitizimin, profesionalizimin dhe krijimin e një sistemi të qëndrueshëm pagash.
"Qytetarët duhet të kenë besim në institucionet dhe të ndiejnë se ato punojnë në interesin e tyre. Prandaj, reformat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, ndërsa procesi i krijimit të politikave të jetë transparent.
Kemi përgatitur zgjidhje të reja ligjore – Ligjin për nëpunësit administrativë, Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për përsosje profesionale – të cilat së shpejti do t’i propozojmë në Qeveri dhe Kuvend," theksoi ministri.
Për më tepër, Minçev njoftoi edhe Ligjin e ri për mbikëqyrjen inspektuese, i cili do të sjellë ndryshime strukturore për një koordinim më të mirë të shërbimeve inspektuese dhe uljen e kostove administrative.
Në kontekstin e integrimeve evropiane, ai theksoi se kritikat e Komisionit Evropian për mbështetjen politike dhe koordinimin e reformave do të merren parasysh për përmirësimin e procesit.
"Jemi mirënjohës ndaj SIGMA-s për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Ky partneritet është kyç për ndërtimin e kapaciteteve dhe afrimin me standardet evropiane," përfundoi ministri, duke shprehur bindjen se, me përpjekje të përbashkëta, do të arrihen objektivat e vendosura për një administratë publike moderne dhe efikase.