Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mbajti fjalim në ngjarjen multimediale: "Portali Nacional për Shërbime Elektronike: pamje e re, shërbime të reja elektronike", ku prezantoi dizajnin e ri të plotë të Portalit Nacional të Shërbimeve – Uslugi.gov.mk.
"Trashëguam një portal që, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Revizionit, mesatarisht ofronte më pak se një shërbim për përdorues, me më pak se 120 mijë përdorues aktivë. Maqedonia renditet e 84-ta sipas Indeksit të OKB-së për Digjitalizim nga 190 shtete, me një rënie prej 30 vendesh krahasuar me vitin 2010. Para nesh janë Serbia, Greqia, Mali i Zi, Shqipëria, Bjellorusia, Mongolia, Moldavia", deklaroi Andonovski.
"Portali i ri Uslugi.gov.mk është transformuar tërësisht për t'iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Fakti që arritëm të realizojmë një transformim kaq rrënjësor për më pak se tre muaj, është dëshmi se kur ka një vizion të qartë, një qasje profesionale dhe shumë punë, mund të arrihen rezultate", shtoi ministri.
Andonovski prezantoi funksionalitetet e reja të portalit të ridizajnuar, si përmirësimin e përvojës së përdoruesit, kërkim të avancuar që i bën shërbimet më të lehta për qytetarët dhe bizneset, mundësinë për mbledhjen e reagimeve nga qytetarët për përvojën e tyre, si dhe prezantimin e shërbimeve të reja të disponueshme në portal. Ai u ndal veçanërisht në përmirësimin e aksesueshmërisë së portalit për personat me aftësi të kufizuara.
"Duke ndjekur standardet më të fundit të Konsorciumit Botëror të Uebit (W3C) – WCAG 2.2, funksionalitetet e reja të portalit ofrojnë mundësi për një dizajn më të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara, me një hartë dhe pamje më intuitive. Kështu sigurojmë që shërbimet digjitale të jenë vërtet të qasshme për çdo qytetar", theksoi Andonovski.
Në këtë ngjarje multimediale, në një panel diskutimi mbi shërbimet e reja të portalit, morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Brendshme, Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Komisioni Rregullator për Energji.