Nikolloski: Kompania Kostal është e para që pranoi të paguajë tatimin korporativ prej 15%, paratë nga tatimi mbeten në Maqedoni

Kompania e parë që pranoi të paguajë tatimin korporativ prej 15% është Kostal. Ky vendim tashmë ka kaluar në Komisionin për sistemin ekonomik pranë Qeverisë, theksoi sot në Ohër zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikolloski.

Ky vendim ligjor do të thotë se të gjitha paratë do të mbeten në Maqedoni, duke sjellë vende të reja pune, rritje të të ardhurave valutore dhe zhvillim ekonomik, shtoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

“Dua të falënderoj kompaninë për përgjegjësinë e saj shoqërore. Të hënën, në Komisionin për sistem ekonomik dhe politikën ekonomike aktuale, të cilin e drejtoj në kuadër të Qeverisë, mund t’i lavdëroj lirisht, Kostal është kompania e parë që pranoi të paguajë tatimin global korporativ këtu në Maqedoni. Këto janë mjete shtesë për buxhetin maqedonas dhe pres që në vitet e ardhshme të zhvillohet bashkëpunimi, të hapen vende të reja pune, të rritet eksporti, të shtohen të ardhurat valutore dhe të përparojë ekonomia. Qeveria është një partner i kompanive” – deklaroi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Ai mori pjesë sot në takimin global të furnizuesve dhe logjistikës në kuadër të Grupacionit Kostal, ku theksoi se kjo është një mundësi e shkëlqyer për përfshirjen e bizneseve të vogla dhe të mesme të vendit.

“Mendoj se ky takim është një mundësi e madhe për shumë kompani të vogla dhe të mesme maqedonase që mund të përfshihen në zinxhirin e furnizimit të Grupacionit Kostal, gjë që do të thotë krijim i vendeve të reja të punës, stimulim i bizneseve familjare dhe atyre të vogla e të mesme, çka mund të sjellë një zhvillim edhe më të madh ekonomik. Së bashku me ekipin e Kostal, ne po diskutojmë edhe për zgjerimin e investimeve, gjë që u përmend gjithashtu nga drejtuesit e kompanisë. Ne jemi këtu për të ndihmuar me gjithçka që mundemi” – shtoi zëvendëskryeministri Nikolloski.