Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë seancës së sotme parlamentare, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së BDI-së, Rina Ajdari, theksoi se ai nuk është i rob i përqindjeve dhe se administrata publike po përballet me një problem serioz në gjetjen e kuadrove, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë apo boshnjakë, për shkak të keqmenaxhimit dhe abuzimeve nga funksionarët e partisë së saj, gjë që ka çuar në zbrazjen e buxhetit shtetëror dhe pamundësinë për të ofruar paga të mira.
"Sa i përket çështjes dhe lidhur me të ardhurat në administratën publike, më duhet të pranoj se sot, në thelb, kemi një problem të madh për të gjetur njerëz që do të punojnë në administratën publike, pa marrë parasysh nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë, boshnjakë, etj. Kemi shpallur konkurse të hapura dhe i lusim njerëzit të punësohen, por ata nuk duan, sepse kanë punë më të mira dhe më të paguara. Më besoni, këtë po ua them nga dora e parë," theksoi Mickoski dhe shtoi:
"E tani, ka të punësuar si ata në Lotarinë e Maqedonisë, shumica prej tyre aktivistë të partisë suaj politike ose të afërm të aktivistëve të partisë suaj, të cilët vetë dhanë dorëheqje. Pas formimit të qeverisë së re, ata vetë dhanë dorëheqje. Në thelb, as nuk e di nëse mund t'u jap statusin e të punësuarve, sepse as që shkonin në punë, por merrnin paga. Dhe pastaj, personi përgjegjës merr kallëzim penal dhe ikën, pra drejtori. Ikën nga shteti, në vend që të vijë, të përballet dhe të shpjegojë pse ka ndodhur kjo, ai thjesht arratiset."
Ai gjithashtu shtoi se gjendja e këtillë është rezultat i rasteve të ngjashme me atë të, siç e quajti, ‘të arratisurit’ që është në listën e zezë dhe që, gjatë kohës që ishte në detyrë, mendonte se ky shtet ishte pronë e tij personale.
"Unë publikisht ftoj që të ketë sa më shumë aplikantë shqiptarë, më shumë aplikantë turq, romë, vllehë, serbë, boshnjakë që të hyjnë në administratën publike dhe nuk jam rob i përqindjeve, më interesojnë vetëm njerëz cilësorë dhe të motivuar për të punuar. Le të fillojnë punën menjëherë nesër. Nuk ka aplikime, nuk ka interes. Askush nuk do të vijë për një pagë prej 25 mijë. E dini pse? Sepse një tjetër i arratisur, që është në listën e zezë, mendonte se ky shtet ishte pronë e tij. Luante futboll, herë pas here punonte në Lotari, merrte me qira hapësira të cilat i mbipagonte dhjetëfish nga çmimi i tregut dhe përveç kësaj, blinte objekte në qendër të Shkupit, agjenci turistike për familjen e tij, e kështu me radhë," theksoi Mickoski dhe shtoi:
"Kështu zbrazej dhe shterej buxheti shtetëror, i cili tani nuk mund të përballojë paga më të larta dhe të ardhura më të mëdha, që të mund të jemi më tërheqës si sektor, në mënyrë që të kemi më shumë shqiptarë që do të vijnë të punojnë, që do të jenë të motivuar për të punuar, që do të duan të punojnë dhe që do të kontribuojnë bashkë me mua, me ju, për shtetin tonë unitar të përbashkët. Nuk ka interes. Askush nuk pranon të punojë për 22-23 mijë."
Mickoski gjithashtu shtoi se korniza e ligjit për përfaqësimin e drejtë është gati dhe se po punohet për ta bërë atë kushtetues, të zbatueshëm dhe që askush në të ardhmen të mos mund ta kontestojë apo ta shfrytëzojë për përfitime politike.
"Korniza e ligjit të ardhshëm është gati që para Vitit të Ri. Dhe po, brenda koalicionit në të cilin është Koalicioni "Maqedonia Jote", i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM, është punuar dhe diskutuar për një zgjidhje që do të jetë kushtetuese. Një zgjidhje që nuk do të lejojë që disa parti politike të shndërrojnë punësimin, i cili është i garantuar me kushtetutë, në një temë debati politik dhe një mjet për mbledhjen e pikëve politike nga disa politikanë, të cilët, në mungesë të një teme tjetër, nuk dinë asgjë tjetër përveç se të bëjnë përçarje etnike."