Të nderuar miq,
Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që kjo është vizita ime e parë në Turqinë mike, një shtet me të cilin ndajmë shumë elemente të përbashkëta në kulturë, traditë, interesa të përbashkëta dhe marrëdhënie të shkëlqyera midis popullit maqedonas dhe turk, mes qytetarëve të Maqedonisë dhe Turqisë.
Kisha një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe konstruktiv me presidentin, zotin Rexhep Tajip Erdogan, pas të cilit mund të them se ky takim është një konfirmim i miqësisë tradicionale, partneritetit të fortë dhe bashkëpunimit strategjik midis dy vendeve tona.
Në takim diskutuam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në më shumë fusha, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe shkëmbimin tregtar. Turqia është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm ekonomikë, por edhe një fuqi e pashmangshme me ndikim të madh në rajon dhe përkushtimi i përbashkët është rritja e investimeve turke në Maqedoni dhe krijimi i mundësive të reja për kompanitë maqedonase në tregun turk.
Tashmë kemi shumë shembuj pozitivë të kompanive turke që operojnë në vendin tonë, veçanërisht në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Nga ana tjetër, siç kemi njoftuar kohët e fundit, kemi bashkëpunim edhe në sektorin e energjetikës me një kompani të madhe turke për investime në ndërtimin e centraleve kogjenerative të gazit, rrjetin e ngrohjes dhe të gazit, me vlerë që do të arrijë deri në një miliard dollarë.
Gjithashtu, diskutuam për avancimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe shëndetësisë. Të dyja vendet janë aleatë në NATO dhe prioriteti ynë i përbashkët është stabiliteti dhe siguria në rajon.
Po ashtu, hapëm tema për të cilat më parë foli edhe presidenti Erdogan.
Sot, unë dhe presidenti Erdogan nënshkruam një deklaratë të përbashkët politike për themelimin e Këshillit për Bashkëpunim në Nivel të Lartë. Ky është një hap i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe themelet e tij janë të përfshira në dokumentin bazë të quajtur "Strategjia për forcimin e marrëdhënieve bilaterale midis Maqedonisë dhe Turqisë", e cila është nënshkruar që në vitin 2008.
Me qëllim zhvillimin e partneritetit strategjik, morëm vendimin për themelimin e Këshillit për Bashkëpunim në Nivel të Lartë, i cili në vetë dokumentin mban titullin "Këshilli" dhe qëllimi i tij është thellimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në nivel bilateral, rajonal dhe global.
Këshilli do të përcaktojë strategjinë për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Maqedonisë në fusha si politika, siguria, mbrojtja, ekonomia, tregtia, energjia, transporti, infrastruktura, bujqësia dhe pylltaria, mediat dhe komunikimi, turizmi, kultura, shkenca, arti, të rinjtë, sporti, arsimi, shëndetësia, mjedisi jetësor dhe transformimi digjital, si dhe kontaktet mes qytetarëve të të dyja vendeve. Kjo strategji do të shërbejë si bazë për zhvillimin e bashkëpunimit në këto fusha, ndërsa Këshilli do të nxit zbatimin e tij.
Ne si shtet jemi të përkushtuar për ndërtimin e një partneriteti të fortë dhe për konfirmimin e miqësisë maqedono-turke në planin ekonomik, politik dhe kulturor.
Në fund, dua të konfirmoj marrëdhëniet e mira midis dy popujve. Tek ne, komuniteti turk është një pjesë besnike e shoqërisë maqedonase, ashtu siç është edhe komuniteti maqedonas në Turqi një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të shtetit turk.
Unë shoh te presidenti Erdogan një mbështetës dhe mik të madh. E kaluara e tij, ashtu si edhe e kaluara e Turqisë, lidhet me atdheun tim dhe kjo është një mundësi e mirë për të thënë se ai është gjithmonë i mirëpritur në Shkup, në Ohër dhe kudo në vendin tonë dhe shpresoj që këtë ta realizojë shumë shpejt.
Jam i bindur se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta, me qëllim sigurimin e një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë.
Ju faleminderit.