Mickoski: Vendbanimi Jaka në Ilinden bëhet një vend i denjë për të jetuar, vazhdojmë të ndërtojmë

Të nderuar përfaqësues të mediave,  

Për mua është kënaqësi dhe nder që sot mund të jem këtu në Komunën e Ilindenit, së bashku me kryetarin e komunës, ministrin për vetëqeverisje lokale, zëvendësministrin, deputetët, funksionarët e tjerë qeveritarë, banorët dhe qytetarët e Komunës së Ilindenit për të marrë pjesë në momente kaq të bukura.  

Kur ndërtohet diçka, është vërtetë bukur. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë edhe më tej, sepse ky është thelbi i funksionimit politik, të krijoni, e jo të shkatërroni. Kjo është filozofia jonë dhe kështu do të vazhdojmë të sillemi.  

Unë nuk kam çfarë të shtoj më shumë në lidhje me karakteristikat teknike të këtyre projekteve, sepse kryetari i komunës dhe ministri tashmë i thanë të gjitha. Më mbetet vetëm të falënderoj kryetarin e komunës për agjendën e tij mjaft ambicioze këtu në Komunën e Ilindenit, këshilltarët, administratën e Komunës së Ilindenit, Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale, e cila tashmë po fasiliton edhe thirrjen e dytë, ku vetë ministri përmendi përafërsisht sa projekte janë dorëzuar, nga sa komuna, etj.

Të falënderoj deputetët, deputeten nga këtu, nga Komuna e Ilindenit, si dhe të gjithë qytetarët që japin mbështetje nga Komuna e Ilindenit për punën që po bëjmë, ndërsa detyra dhe obligimi ynë, si dhe fjala e dhënë, është që ta realizojmë atë që kemi premtuar dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë të sillemi edhe në të ardhmen.

Vetëm dua të theksoj, besoj se edhe kryetari i komunës e përmendi, që në këtë vendbanim, Jaka, janë investuar disa milionë euro. Me atë që, njerëzit blenë parcela, ndërtuan shtëpi, por nuk kishte as ujë, as kanalizim, as rrugë, as ndonjë kusht bazë për jetesë. Tani shohim që e gjithë kjo po bëhet realitet dhe ky vend vërtet po shndërrohet në një hapësirë të bukur dhe të denjë për të jetuar, e cila po rritet nga dita në ditë. Dhe unë me të vërtetë dëshiroj shumë projekte të suksesshme si ky në mbarë vendin.