Zëvendëskryeministri për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, takoi sot anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me të cilët diskutoi mbi përshpejtimin e luftës kundër korrrupsionit dhe forcimin e koordinimit ndër-institucional në zbatimin e strategjisë shtetërore në këtë fushë.
Fetai theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsioni është ndër top prioritetet e Qeverisë, përfshirë reformën në drejtësi, me synimin për të luftuar me sukses korrupsionin dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve tek institucionet.
Duke iu referuar zbatimit të Strategjisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave (2021-2025), ai vuri në dukje se gjatë qeverisjes së mëparshme është shënuar regres në këtë fushë, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe vendimeve të dëmshme siç ishte ndryshimi skandaloz i Kodit Penal, gjë që ka rezultuar në aministimin e organizuar të korrupsionit politik.
"Resetimi i luftës kundër korrupsionit është shndërruar në një emergjencë nacionale," deklaroi Fetai, duke u zotuar për ndryshimin e Kodit Penal dhe zbatimin e reformave në drejtësi, me qëllim krijimin e një qasjeje të re kundër korrupsionit.
Në lidhje me rolin e Trupit Ndër-Resor për luftë kundër korrupsionit, i cili duhet të koordinojë veprimet e institucioneve në këtë rrafsh, Fetai premtoi përmbushjen e këtij misioni të rëndësishëm.
“Plani im, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, është që Trupin Ndër-Resor ta shndërrojmë në një mekanizëm efektiv koordinues, i cili materializon një front të vërtetë kundër korrupsionit, duke demonstruar vullnet të qartë politik dhe duke nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional – e jo më talk show siç ishte në të kaluarën,” theksoi ai.
Fetai shprehu optimizëm se vendi do të ecë përpara në ndërtimin e shtetit të së drejtës, një detyrim moral ndaj qytetarëve dhe të rinjve, të cilët po largohen nga vendi për shkak të korrupsionit që ka shkaktuar një depresion kolektiv.
Nënkryetarja e KSHPK-së, Biljana Karakashova Shullev, foli për sfidat e Komisionit në zbatimin e politikave kundër korrupsionit, duke theksuar mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe teknike. Ajo theksoi se problemet kryesore në luftën kundër krimit mbeten moszbatimi i detyrimeve ligjore nga institucionet, mungesa e planeve vjetore antikorrupsion dhe kapacitetet e kufizuara të kuadrove të përfshirë në këtë proces.
Të dyja palët u pajtuan për të bashkërenduar aktivitetet në përmirësimin e legjislacionit dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.