Trupi Nacional Koordinues për zbatimin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara mbajti seancën e tij konstituive, të cilën e kryesoi këshilltari i Kryeministrit për avancimin e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe zbatimin e Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe koordinatore e trupit, m-r Snezhana Trpevska.
Në këtë seancë, e para pas emërimit të përbërjes së re të trupit, Trpevska informoi për rolin e Trupit Nacional Koordinues, në përbërje të të cilit janë përfaqësues nga zyra e Kryeministrit, katërmbëdhjetë ministri, dy organizata të personave me aftësi të kufizuara dhe një institucion shkencor universitar, duke theksuar rëndësinë thelbësore të këtij trupi në koordinimin e të gjitha aktiviteteve dhe përpjekjeve për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Konventa.
Përveç reformave ligjore dhe institucionale, trupi do të angazhohet edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe për rëndësinë e përfshirjes aktive të tyre në të gjitha aspektet e jetës shoqërore.
Në seancë u theksuan edhe detyrat e Trupit Nacional Koordinues për ndërtimin e partneriteteve, krijimin e një atmosfere pozitive dhe gjithëpërfshirëse si dhe sigurimin e funksionimit efikas të të gjitha proceseve që do të çojnë në përmirësimin e standardit të jetesës për personat me aftësi të kufizuara.
Trupi Nacional Koordinues përcakton prioritetet dhe aktivitetet e ardhshme të veprimit.