Rritje e vazhdueshme e pagave – Për gjashtë muaj rritje prej 15 përqind në shëndetësi, 12 në arsim dhe 10 për nëpunësit policorë

Të nderuar,

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Qeveria ka rritur pagat e të punësuarve në shëndetësi, arsim dhe siguri.

Punonjësit arsimorë dhe të gjithë të punësuarit në arsim kanë marrë rritje prej 12 përqind. Rritja e parë prej 5 përqind është realizuar me pagën e shtatorit, e cila është paguar në tetor të vitit të kaluar. Ndërsa rritja e dytë prej 7 përqind është realizuar me pagën e marsit, e paguar në prill.

Me këtë e kthejmë dinjitetin e humbur të punonjësve arsimorë, të cilët i edukojnë gjeneratat e ardhshme në shtet.

Punonjësit shëndetësorë, infermierët, teknikët dhe personeli administrativ kanë marrë rritje të pagave prej 15 përqind brenda gjashtë muajve. Ndërsa, mjekët amë dhe gjinekologët kanë marrë rritje të kapitacionit prej 33 përqind, ndërsa stomatologët prej 22 përqind.

Nëpunësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve dhe të shtetit, kanë marrë rritje të pagave prej 10 përqind. Për këtë rritje të pagave për 12.000 policë janë siguruar 800 milionë denarë nga buxheti.

Qeveria kujdeset për të gjithë qytetarët. Rritja e pagave do të vazhdojë, deri në fund të mandatit, në shëndetësi dhe arsim parashihet që të rriten përkatësisht për 46 dhe 50 përqind.

Ky është rezultat i një buxheti të strukturuar dhe të menduar mirë, si dhe i punës së suksesshme të Qeverisë.

Vazhdojmë të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve.