I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kryetarë të komisioneve parlamentare,
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Kur për herë të fundit u adresova këtu, para Komitetit të Përbashkët Parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, theksova se ka momente në histori që nuk definohen vetëm nga vendoshmëria jonë, por edhe nga guximi dhe vizioni i partnerëve tanë. Sot, para jush, rojtarët e pushtetit ligjvënës, e riktheksojë edhe një herë atë porosi. E ardhmja jonë në Evropë nuk është ndonjë qëllim abstrakt në horizontin e largët; ajo është realitet që e krijojmë, ditë pas dite, përmes përkushtimit tonë të përbashkët.
Ky Kuvend, më shumë se çdo tjetër, e di se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut nuk është më vetëm aspiratë. Ai gjithashtu është domosdoshmëri strategjike, proces gjithëpërfshirës i cili kërkon reforma, guxim politik dhe përkushtim institucional pa lëshime. Agjenda reformuese 2024–2027, për të cilën jemi sot këtu, është pikërisht kjo: udhërrëfyes që nuk është krijuar për Brukselin, e as vetëm për institucionet e BE-së, por para së gjithash për qytetarët të cilët i përfaqësojmë, besimi i të cilëve është themeli i demokracisë sonë.
Para nesh kemi Agjendë të qartë dhe konkrete, e strukturuar rreth prioriteteve kyçe: qeverisjes së mirë dhe sundim të ligjit, qëndrueshmëri rezistencë ekonomike, transformim të gjelbër dhe digjital, dhe zhvillim të kapitalit njerëzorë. Secila nga këto reforma është thellësisht e rrënjosur në realitet; nuk bëhet fjalë për politika abstrakte. Ato drejtëpërdrejtë kanë të bëjnë me sfidat me të cilat ҫdo ditë ballafaqohen qytetarët tanë, nga pengesat administrative dhe shërbimet joefikase publike, deri te korrupsioni, papunësia dhe problemet ekologjike.
Siç e kam theksuar tanimë nga kjo foltore, Evropa dhe Maqedonia e Veriut ndajnë të ardhmen e përbashkët. Por, ajo e ardhme po formësohet këtu, në shtëpi, përmes vullnetit tonë dhe fuqisë së institucioneve tona. Prandaj, përforcimi i sundimit të ligjit është themeli i Agjendës sonë reformuese. Sigurimi i gjyqësorit të pavarur dhe luftës efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është esenciale – jo vetëm si kusht për aderimin në Bashkimin Evropian por, si e drejtë themelore e secilit qytetarë. Iniciativat e fundit ligjore, siç janë sjellja e Ligjit për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik dhe Transparenca e Përforcuar në Prokurimet Publike – janë hapa konkretë dhe pozitiv.
Megjithatë, reformat nuk janë vetëm çështje ligjesh, ato janë çështje lidershipi. Nevojitet guxim që të pranohet transparenca, integriteti dhe llogaridhënia. Këto vlera duhet të jenë pjesë e pandashme e administratës sonë publike dhe institucioneve shtetërore. Me implementimin e plotë të Ligjit për Buxhete dhe me riorganizimin e administratës shtetërore, tanimë po hapërojmë drejt qeverisjes më efikase dhe më të përgjegjshme.
Tranzicioni i gjelbër dhe digjital edhe pse ndonjëherë perceptohen si politika teknike ose të largëta, ato kanë implikime shumë praktike. Kur flasim për reforma energjetike dhe infrastrukturë digjitale, flasim për ajër më të pastër, fatura më të ulëta, shërbime më të sigurta online dhe institucione më efikase publike. Kur investojmë në burime të rinovueshme të energjisë ose në sigurinë kibernetike, ne investojmë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Në thelb të Agjendës Reformuese është investimi në kapitalin njerëzor. Përmes reformimit të arsimit të mesëm profesional dhe ndërtimit të shkathtësive sipas kërkesave të tregut, drejtpërdrejt i aftësojmë të rinjtë që të zhvillohen në ekonomi dinamike. Këto reforma, të mbështetura nga digjitalizimi i arsimit, do të krijojnë fuqi punëtore fleksibile dhe të përgatitur, të cilat do të munden me vetëbesim të përballen me sfidat që vijnë.
Dua të theksoj edhe njëherë se Agjenda Reformuese përfaqëson shumë më tepër se listë të kërkesave për anëtarësim në BE. Ajo e simbolizon ambicien tonë të përbashkët që të ndërtojmë shoqëri më të drejtë, më produktive dhe më transparente. Roli i Parlamentit në këtë proces është shumë i rëndësishëm. Përmes diskutimeve dhe vendimeve tuaja, këto reforma bëhen realitet dhe marrin frymëzim. Ju, deputetë të nderuar, jeni arkitekt që do të ndërtoni këtë ndryshim. Në dispozicionin tonë janë rreth 750 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, mjete të besuara për Republikën e Maqedonisë së Veriut në bazë të potencialit dhe përgjegjësisë sonë. Këto mjete nuk janë thjesht instrumente financiare, por janë tregues i besimit të Bashkimit Europian në vullnetin dhe aftësinë tonë për sukses.
Më lejoni të theksoj: rolin tuaj, deputetë të nderuar, është më të vërtet i rëndësishëm për suksesin tonë. Me legjislacion vendimtar dhe mbikëqyrje vigjilente, Ju drejtëpërsëdrejti e përcaktoni tempon dhe suksesin e integrimit tonë. Vizioni ynë është i qartë: Maqedonia e Veriut e integruar në BE-në, me institucione të fuqishme, ekonomi konkurruese dhe shoqëri të bashkuar. Realizimi i këtij vizioni në masë të madhe varet nga mbështetja dhe përkushtimi i juaj në kontinuitet.
Si Ministër për Çështje Evropiane dhe Koordinator Nacional për Agjendën Reformuese dhe Instrumentin për reforma dhe rritje, ju garantoj se jam tërësisht i përkushtuar në këtë qëllim strategjik. Së bashku me ekipin profesional nga Ministria për Çështje Evropiane, ne mbetemi tërësisht në dispozicion për mbështetje, shkëmbim të informacioneve dhe koordinim me qëllim implementimin efektiv. Ejani bashkarisht të tregojmë pjekuri politike, efikasitet legjislativ dhe forcë institucionale. Së bashku, nuk do t’i ndjekim vetëm standardet evropiane, por do ta mishërojmë vetë idenë evropiane.
Ju faleminderit.