Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, në podkastin “Ku janë paratë?”, tha se po zhvillohen negociata për investime prej 5 deri në 6 miliardë euro për projekte kapitale në rrugë lokale, rajonale dhe eksprese, një valë investimesh në shëndetësi për ndërtimin e qendrave klinike dhe spitaleve, si dhe hekurudha dhe qendra skijimi.
“Në periudhën që vjen jam i bindur se do të arrijmë të negociojmë me sukses dhe do të finalizojmë plan të investimit prej 5 deri në 6 miliardë euro të cilat do të realizohen në Maqedoni. Dhe pasi ta përfundojmë këtë pozitivisht, dua të ulem me odat ekonomike dhe të flasim hapur nëse kemi kapacitet për ta realizuar të gjithë këtë. Jam i bindur se kemi, por na duhet organizim i mirë”, theksoi kryeministri Mickoski.
“Tani do të përpiqem, në interes të negociatave dhe procesit, t’i theksoj vlerat dhe projektet, ndërsa shumë shpejt, brenda jo më shumë se 2 muajsh, gjithçka do të publikohet në opinion dhe do të dihet saktësisht se nga vijnë dhe çfarë janë këto projekte. Por qëllimi im personal dhe i qeverisë ishte të krijojmë këtë valë investimesh. Do të pajtoheni se nëse BPV-ja jonë është, të themi kushtimisht, rreth 16 – 16.5 miliardë euro e projektuar nominalisht, kjo përfaqëson diku mes 35 dhe 40 për qind të BPV-së sonë. Diku gjysmë miliardë deri në një miliard euro janë mjete që do të financojnë projekte për ndërtimin e rrugëve lokale, rajonale dhe ekspres. Një pjesë e tyre do të modernizohen, përkatësisht do të rindërtohen dhe një pjesë do të ndërtohen nga e para, prandaj them mes gjysmë miliardë dhe një miliard. Po negociohen kushtet, etj. Dhe kjo nuk do të jetë borxh i ri, sepse do të rritet BPV-ja, sepse në ndërtimtari paratë qarkullojnë së paku tri herë dhe nuk do të jetë borxh i ri, përkundrazi, nominalisht ne mund ta ulim borxhin”, shtoi ai.
"Projekti i dytë është ndërtimi përfundimtar i Qendrës Klinike në Shtip, spitali në Kërçovë – projekt që daton nga vitet e '90. Kur dolëm në terren me ekipet, konstatuam se është më mirë të ndërtohet në një lokacion tjetër, sepse themelimi është ndryshe, gjithçka është ndryshuar. Do të ishte më shtrenjtë të rindërtohet ekzistuesi i cili është lënë të shkatërrohet për 25 vjet, sesa të ndërtohet një i ri. Do të bëhet edhe rindërtimi i Spitalit Klinik në Tetovë – sallat operative dhe dy reparte të tjera dhe një hekurudhë, kushtimisht e quajtur e shpejtë, e cila do të jetë pjesë e Korridorit 10, ku trenat e udhëtarëve – për shkak të kostos – vendosëm që të lëvizin me shpejtësi prej 160 km/h, megjithëse kishim dëshirë të ishte mbi 200 km/h; krahasuar me shpejtësinë aktuale prej 30–40 km/h, ndërsa trenat e mallrave do të lëvizin me 110 km/h. Kjo valë investimesh do të jetë nga 2.3 deri në 2.5 miliardë euro.
Pra, nga gjysmë miliardë deri në një miliard euro për rrugë lokale, rajonale dhe ekspres, investime në shëndetësi – Qendra Klinike në Shtip, spitali në Kërçovë dhe rindërtimi i spitalit të Tetovës, si dhe hekurudha e shpejtë në Korridorin 10, Tabanoc–Gjevgjeli. Ky është një projekt që do të kalojë vlerën prej 3 deri në 3.5 miliardë euro", theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se, në bazë të këtyre projekteve, do të rritet Bruto Prodhimi Vendor (BPV), ndërsa do të ulet borxhi publik.
“Në bazë të këtyre projekteve, borxhi publik nuk do të rritet, ndërsa BPV-ja nuk do të bie. Përkundrazi, do të ndodhë një proces i kundërt, sepse këto janë investime kapitale që do të nxisin industrinë ndërtimore dhe paratë do të qarkullojnë tri deri në katër herë. Këtu, në bazë të këtyre projekteve, BPV-ja do të rritet dhe borxhi publik do të ulet”, theksoi ai.
“Ishim në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pata takime në nivel të lartë, u takova me presidentin e Emirateve. U takova edhe me komunitetin më të lartë të biznesit dhe kompanitë kryesore që veprojnë jashtë Emirateve. Të gjithë ata, në maj ose qershor – duhet ta precizojmë – do të vijnë këtu. Projektet për të cilat po flasim janë projekte në lokacione ekzistuese tashmë të ndërtuara në Ohër, përkatësisht blerje nga pronarët, si dhe dy lokacione të reja, por për shkak të kufizimeve të UNESCO-s, nuk mund të shfrytëzohen në kapacitetin e tyre të plotë – duhet të kemi kujdes, Qendra e skijimit në Kodrën e Diellit, lokacioni pranë kazermës për objekt ‘landmark’ që nuk do të jetë vetëm për Shkupin, por, do të thosha, për tërë rajonin; Çebren-Galishte, si dhe lloje të tjera objektesh si centrale diellore dhe me erë janë projekte për të cilat tashmë ka një follow up pas vizitës sonë dhe tashmë po shkëmbehen të dhëna me institucionet këtu. Pres nga kjo valë investimesh midis 2 dhe 3 miliardë euro për Maqedoninë”, është decid Mickoski.