Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski sot mbajti një konferencë për shtyp në të cilën informoi se thirrja publike për mbështetje financiare për kompanitë ajrore ishte e suksesshme dhe se e vetmja kompani që është paraqitur është "Wizz Air". Njëkohësisht, ministri Sugareski shpjegoi edhe kriteret që duhet të përmbushë kjo kompani ajrore në mënyrë që të marrë mbështetje financiare.
"Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e angazhuar fuqishëm në zhvillimin e komunikacionit ajror duke krijuar kushte për hyrjen e kompanive ajrore që do të ofrojnë destinacione të reja për qytetarët e Maqedonisë.
Ky është përcaktimi ynë Programor dhe Ju siguroj se në periudhën e ardhshme në kuadër të kompetencave tona ne do të ofrojmë shumë destinacione të reja.
Dua t'ju informoj që sot përfundoi thirrja publike për mbështetjen financiare të kompanive ajrore.
Në thirrjen publike, deri te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve erdhi vetëm një kërkesë për mbështetje financiare nga kompania ajrore "Wizz Air". Pas vlerësimit të ofertës nga ana e Komisionit përgjegjës për zbatimin e kësaj thirrje publike, u konstatua se kompania ajrore "Wizz Air" i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret e përmendura në thirrje.
Sot me kënaqësi mund të njoftoj se Thirrja Publike pati sukses.
Sipas kritereve, kompania ajrore "Wizz Air" ka për detyrë që të fillojë të operojë së paku edhe në katër destinacione të reja nga aeroporti "Shën Apostull Pali" - Ohër edhe atë: dy të parat deri më 26 mars të vitit 2019, ndërsa dy të tjerat brenda një viti nga data e lidhjes së Kontratës dhe të njëjtat ti shërbejë gjatë periudhës kohore për të cilën jepet ndihma financiare.
Komania ajrore "Wizz Air" është gjithashtu e detyruar të krijojë dy linja të reja nga “Aeroporti Ndërkombëtar Shkup” deri më 26 mars të vitit 2019 dhe të njëjtat ti shërbejë për të paktën dy vite.
Sa i përket mjeteve financiare, janë paraparë gjithsej 312 milionë denarë ose rreth 5 milionë euro për periudhën 2019-2022.
- për vitin 2019 janë paraparë 86 milionë denarë;
- për vitin 2020 janë paraparë 104 milionë denarë;
- për vitin 2021 janë paraparë 104 milionë denarë;
- dhe për vitin 2022 janë paraparë 17 milionë denarë.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve do të japë mbështetje financiare në vlerë prej 40.000 euro për çdo destinacion të ri të ofruar nga "Aeroporti Ndërkombëtar Shkup" dhe aeroporti "Shën Apostull Pali" - Ohër.
Për çdo destinacion të ri të ofruar nga "Aeroporti Ndërkombëtar Shkup" do të ndahen mbështetje financiare në vlerë prej:
- ;9 euro për pasagjer në nisje në vitin e parë të kontratës;
- 8 euro për pasagjer në nisje në vitin e dytë të kontratës;
- 7 euro për pasagjer në nisje në vitin e tretë të kontratës.
Për çdo destinacion të ri të prezantuar nga aeroporti "Shën Apostull Pali" - Ohër do të ndahen mbështetje financiare në vlerë prej:
- 13 euro për pasagjer në nisje në vitin e parë të kontratës;
- 12 euro për pasagjer në nisje në vitin e dytë të kontratës;
- 11 euro për pasagjer në nisje në vitin e tretë të kontratës.
Me këtë rast dua të përgëzoj kompaninë "Wizz Air". Ata vazhdojnë të mbeten partner serioz i Qeverisë në zhvillimin e komunikacionit ajror në Republikën e Maqedonisë.
Ne si Qeveri e përgjegjshme, premtuam se do të vazhdojmë të stimulojmë komunikacionin ajror dhe e arritëm këtë.
Qëllimi ynë është që të kemi komunikacion ajror cilësor dhe të sigurt dhe qytetarët që të përfitojnë më tepër destinacione të reja me çmime të volitshme të aviobiletave".