Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski i shoqëruar nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski dhe kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski e vizituan zonën industriale në Vizbeg, ku vijojnë punët ndërtimore në rrjetin e kanalizimit.
Gjatë inspektimit të aktiviteteve ndërtimore u theksua se edhe pse shteti është në proces zgjedhor, Qeveria po funksionon me kapacitet të plotë dhe pa pengesë po bëhet realizimi i projekteve të planifikuara infrastrukturore në këtë zonë.
Kryeministri Spasovski theksoi se në vijim janë edhe punimet përfundimtare të rrjetit të ujësjellësit
"Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç të gjitha aktiviteteve të saja në fushën e integrimit në NATO dhe BE, me përkushtim të plotë punon edhe në fushën e ekonomisë dhe mu ky projekt është një nga më të rëndësishmit në këtë zonë. Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve janë bazë për funksionimin normal dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të zonës. Qeveria me përkushtim do të vazhdojë të zhvillojë dialogun dhe partneritetin me ekonominë dhe qytetarët dhe të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura", tha kryeministri Spasovski.
Përmes këtyre projekteve, me të cilat në mënyrë të përhershme zgjidhen nevojat e infrastrukturës, Kryeministri Spasovski theksoi se Qeveria bëri një kthesë dhe i vendosi në rend të parë prioritetet e komunitetit të biznesit dhe të qytetarëve.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, konfirmoi se ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve po zhvillohet sipas dinamikës së caktuar dhe se do të përfundojë brenda afateve të parashikuara.
“Besoj se me realizimin e këtyre dy projekteve në Komunën e Butelit, në tërësi do të përmbushen premtimet ndaj kompanive dhe qytetarëve të Vizbegut. Dua të theksoj që nuk ndalemi këtu dhe se së shpejti, në Komunën e Butelit do të fillojë ndërtimi i një ndërtese sociale”, njoftoi ministri Sugareski.
Kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski falënderoi Qeverinë për mbështetjen e saj, në zgjidhjen e çështjeve infrastrukturore.