Kryetari Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe drejtori i Klinikës për Neurokirurgji, Vlladimir Rendevski, sot në Qendrën Klinike vizituan repartin e rinovuar stacionar në këtë klinikë.
Me punimet rinovuese të këtij reparti, që janë projekt i Ministrisë së Shëndetësisë, u bë rikonstruimi i plotë i të gjitha dhomave spitalore, të cilat në numër të madh janë të adaptuara në dy dhoma me krevate, janë ndërtuar tualetet dhe tërësisht është rinovuar instalimi për gazrat mjekësore.
Gjithashtu, u krye rikonstruim edhe në dhoma për shërim gjysmë-intensiv, e cila do të jetë pjesë e repartit të ri për kirurgji endovaskulare, pas hapjes së sallës hibride.
Në hapjen solemne të repartit të ri, Kryeministri uroi drejtorin e Klinikës për Neurologji, Rendevski, dhe të gjithë të punësuarit e saj dhe theksoi:
“Ky hap flet për përkushtimin tonë të orientuar drejt përmirësimin e kushteve për pacientët por edhe për kushtet në të cilat punon personeli mjekësor. Për një muaj patëm rinovim të dy klinikave, që tregon se vetëm me punë dhe përkushtim mund të arrijmë rezultate.”
Spasovski theksoi se ky hap është i rëndësishëm sepse punimet rinovuese po bëhen në reparte në të cilat mbi 40 vjet nuk është investuar asgjë dhe se qytetarët e RMV-së meritojnë të kenë kushte shëndetësore të mira dhe cilësore.
“E gjithë kjo është motiv edhe për punën e Qeverisë në të ardhmen. Do të punojmë me përkushtim që së pari të rrisim buxhetin në shëndetësi, të investojmë në personelin mjekësor sepse është me rëndësi që njerëzit që kanë investuar në arsimimin personal, ekspertët tanë, ti mbajmë në RMV, me çka përfitime do të kenë jo vetëm qytetarët tanë por edhe qytetarët e rajonit. Më tepër më gëzojnë ndryshimet që janë bërë në shëndetësi. Këto projekte të rëndësishme tregojnë se prioritet i kësaj Qeverie është shëndeti i qytetarëve”, nënvizoi Spasovski.
Drejtori i Klinikës për Neurokirurgji në hapjen solemne informoi se kuadër të repartit stacionar janë rinovuar 10 dhoma spitalore, në formë të akomodimit në apartamente dhe shprehu kënaqësi të veçantë që është rinovuar edhe dhoma e fëmijëve me tualete dhe një bife për pije.
“Me këtë ky repart mori pamje krejtësisht të re dhe mundësi të ofrojë shërbime më të mira shëndetësore për pacientët”, nënvizoi Rendevski.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, shprehu falënderim që me këtë hap rrumbullakohet përmirësimi i kushteve infrastrukturore, pas rinovimit të vitit të kaluar të repartit për kujdes intensiv.
“Në periudhën që vijon, do të formojmë sallë hibride në kuadër të Klinikës, me çka pacientët këtu përfundimisht do ta marrin shërbimin e plotë shëndetësor dhe nuk do të ketë nevojë të transportohen deri te Klinika e Radiologjisë apo Klinika e Kardiologjisë. Ky është hapi vijues në klinikat kirurgjikale pas rinovimit të Klinikës për Kirurgji Digjestive, Kirurgjisë Plastike, pjesës me sallën e re në Klinikës për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare. Ky bllok i vjetër në të cilin nuk është bërë asgjë më shumë se 40 vite, tanimë ngjan në objekt modern i cili ofron kushte të duhura për trajtimin dhe qëndrimin e pacientëve, por edhe kushte të duhura për punën e personelit mjekësor”, theksoi Filipçe.
Ministri i shëndetësisë njoftoi se në dy javët e ardhshme fillon edhe rikonstruimi i hapësirave të përbashkëta të klinikave kirurgjike dhe interne: hyrjet, korridoret, qendra urgjente dhe pjesa më e vjetër e Klinikës për Sëmundje Interne, prej nga lëvizin pacientët dhe drejtohen drejt klinikave.