Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, dërgoi letër deri te Bashkësia Fetare Islame dhe deri te Reis'ul-Ulema, Haxhi Sulejman Rexhepi, si dhe te të gjithë besimtarët mysliman në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në letrën me urime me rastin e muajit të Ramazanit, theksohet se është muaji më i shenjtë për myslimanët dhe përfaqëson një prej shtyllave të Islamit, që fton në mirësi, falje dhe mëshirë.
“Në këto momente të rënda, të cilat në nivel botëror i solli kjo pandemi dhe kriza ekonomike shëndetësore e shkaktuar nga virusi korona COVID-19, pikërisht parimet e respektit dhe solidaritetit, janë më të domosdoshme se kurrë më parë. Muaji i shenjtë i Ramazanit është muaj në të cilin kujdesemi për të tjerët, para se gjithash për të dobëtit dhe të pafuqishmit, si dhe për të moshuarit tanë, të cilët përfaqësojnë kujtesën dhe mençurinë e komunitetit tonë”, shkruan Kryeministri Spasovski në urimin e tij me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.
Spasovski thekson se në muajin e shenjtë të agjërimit, përballë tundimeve, përmes mohimit dhe qëndrueshmërisë tregohet edhe kujdes më i lartë për të tjerët, dhe porosit se këtë vit duhet të pranohet se ditët e Ramazanit duhet të kalohen me rrethin më të ngushtë të familjes, dhe në atë mënyrë ta mbrojmë shëndetin e familjarëve dhe fqinjve tanë, por edhe shëndetin tonë.
Në muajin më të lumtur dhe më fisnik për myslimanët dhe në frymën e dashurisë, durimit, bujarisë dhe vetëmohimit, të përballemi me sfidat dhe t’i zbusim pasojat e shkaktuara nga koronavirusi”, thotë në urimin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit Kryeministri Spasovski, duke dëshiruar që besimtarët t’i kalojnë ditët e Ramazanit në rehati nëpër shtëpitë e tyre, në shëndet të mirë dhe fuqi shpirtërore.