Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në intervistën për botimin në internet të gazetës sllovene “Dello” e transmeton përvojën e vendit me kampanjat hibride me të cilët ballafaqohet dhe thekson se ato janë të shoqëruara vazhdimisht me keqinformim, me përhapjen e gjuhës së urrejtjes, me dëme për identitetin maqedonas, me nxitjen e nacionalizmit të rrezikshëm brenda shtetëror dhe ndërshtetëror dhe forma të tjera të kërcënimeve hibride kundër demokracisë në shoqërinë tonë dhe në rajon.
“Atë që duhet ta dinë qytetarët e Sllovenisë, Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë vendeve të rajonit dhe të botës të cilat ballafaqohen me gënjeshtra propaganduese, është se qeveritë që janë kundërshtarë të lajmeve të rrejshme janë ato qeveri që janë të hapura, transparente dhe të përgjegjshme, kurse shkalla e rezistencës së qytetarëve ndaj sulmeve me keqinformim varet nga niveli i njohurive mediatike të popullatës”, tha Zaevi në intervistën për gazetën “Dello”
Zaevi thekson se sa më shumë është e hapur dhe e përgjegjshme shoqëria dhe sa më shumë investohet në përvetësimin e shkrim-leximit mediatik, aq më i shpejtë, më i mirë dhe më efikas është ballafaqimi me keqinformimin.
“Ata që do të bëhen kundërshtarë të transparencës dhe shkrim-leximit mediatik, ata janë aleatë të gënjeshtrës. Me kërcënimet më të mëdha të këtij tipi u ballafaquam në një periudhë më të gjatë, kur i bënim hapat vendimtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth emrit të shtetit tonë me Greqinë, të cilat kulmin e arritën në prag të referendumit për ndryshimin e emrit”, theksoi kryetari i Qeverisë Zoran Zaev në intervistë për botimin elektronik të gazetës së njohur sllovene “Dello”.