Me krenari të veçantë njoftoj se deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me shumicën e 66 votave dhanë dritën e gjelbert për Ligjin e shpalljes së një pjese të Malit Sharr për park kombëtar dhe me këtë morën një vendim historik. Me miratimin e këtij ligji, shteti ynë fitoi parkun e katërt kombëtar pas shpalljes së atij të fundit në vitin 1958 dhe të parit pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me shpalljen e Malit Sharr si zonë e mbrojtur u vu nën mbrojtje dhe u mundësua krijimi i sistemit për menaxhim të qëndrueshëm të zonës që është një thesar i biodiversitetit, shtëpi për dy të tretat e të gjitha llojeve të bimëve në Maqedoninë e Veriut si dhe florës dhe faunës së pasur dhe endemike. Posedon bukuri të jashtëzakonshme natyrore, gjeodiversitet, veçori hidrologjike, peizazh dhe vlera kulturore. Dhe më e rëndësishmja, pres që me këtë hap të hapim një faqe të re dhe mundësi të reja jo vetëm për mbrojtjen e trashëgimisë sonë natyrore, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të zonës dhe shtetit, për vendosjen e një bashkëpunimi më të gjerë ndërkufitar, për shfrytëzimin e mundësive të reja financiare dhe për zhvillimin e brendeve lokale dhe formave të ndryshme të turizmit dhe forcimin e fuqisë së shitjes.
I përgëzoj qytetarët për këtë sukses historik. Ky është një hap i madh me të cilin siguruam përfitime të mëdha për të gjithë ne, por edhe për brezat e ardhshëm.