Zëvendëskryeministri Bytyqi u takua me ambasadorin e Luksemburgut Donkel - Maqedonia e Veriut dhe Luksemburgu kanë marrëdhënie miqësore dhe partneriteti

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, priti sot ambasadorin e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, z. Filip Donkel, me të cilin u bisedua për bashkëpunimin politik dhe ekonomik midis dy vendeve.

Në këtë takim u konfirmuan marrëdhëniet miqësore dhe të partneritetit mes dy vendeve, dhe fokusi më i madh në bisedime ishte në bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ambasadori Donkel konfirmoi mbështetjen e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për perspektivën e integrimit evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe theksoi se ai ishte i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe intensifikimin e tyre në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon vazhdimisht për të avancuar klimën e biznesit në vend, dhe se ka një numër masash për të stimuluar investimet e reja vendase dhe të huaja, veçanërisht në prodhimin me vlerë të shtuar, dhe se ka mundësi të shkëlqyera për realizimin e investimeve në sektorin e energjisë.

Bytyqi dhe Donkel ranë dakord se do të vazhdojnë të kultivojnë dhe promovojnë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe se do të angazhohen për realizimin e potencialit për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve.