Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, përsëritën sot edhe një herë qëndrimet e qeverive të dy vendeve për politikat pro-evropiane, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin që do të kontribuojë në zhvillimin e të gjithë rajonit.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se mbledhja e dytë ndërqeveritare e sotme iu kushtua zgjidhjeve konkrete për çështje aktuale për qytetarët dhe për shtetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
“Ne kemi nënshkruar disa memorandume për avancimin e bashkëpunimit pothuajse në të gjitha fushat, sigurisht me fokus të veçantë në energjetikë, ku është e drejtuar vëmendja e mbarë botës”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është synim strategjik i Republikës së Shqipërisë.
“Së bashku filluam procesin e shqyrtimit dhe së bashku kemi mundësinë të përfundojmë negociatat dhe të bëhemi anëtarë të plotë të BE-së”, tha Kryeministri Kovaçevski dhe falënderoi Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e parezervë që Republika e Maqedonisë së Veriut mori nga Shqipëria në procesin e NATO-s, për integrimet.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se përveç finalizimit të 21 akteve për të cilat u ra dakord përmes bashkëpunimit intensiv mes dy qeverive, nismat e propozuara nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë Artan Grubi dhe që i referohen ndërtimit të infrastrukturës rrugore, pra korridorit 8, ndërtimi i një porti të thatë në Strugë dhe hapja e pikës së re kufitare Pogradec-Strugë, duke vënë në dukje se këto janë projekte strategjike për të dy vendet.
“Më vjen shumë mirë që me Maqedoninë e Veriut kemi hedhur themele të mira dhe të forta për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, e cila duhet të jetë një e ardhme e respektit të ndërsjellë të të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe një e ardhme e shëndetshme për gjeneratat e tjera”, tha Rama.