Perinski: Javën e ardhshme shpallet thirrja e dytë publike për projektet e komunave

Të nderuar, 

Vazhdojmë me zbatimin e mbështetjes së premtuar për komunat, në interes të të gjithë qytetarëve tanë.

Me kënaqësi dua të njoftoj se tashmë javën e ardhshme do të hapim thirrjen e dytë për mbështetje financiare për komunat, me të cilën do të mbështesim projekte kapitale në infrastrukturë me vlerë deri 15 miliardë denarë dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. 

Kjo thirrje është vazhdim i zbatimit të suksesshëm të thirrjes së parë, e cila tashmë po jep rezultate konkrete. 

Siç tregojnë faktet dhe situata në terren, para nesh është një bum ndërtimi në të gjitha komunat, në të gjitha rajonet e vendit tonë. 

Më lejoni t'ju informoj shkurtimisht për rezultatet e thirrjes së parë, me të cilën u sigurua mbështetje financiare për 288 projekte në 78 komuna, me një vlerë totale prej pak më shumë se 4.5 miliardë denarë. 

  • 251 projekte kanë kontratë të nënshkruar ose janë në fazën përfundimtare të procedurës, ndërsa rreth 50 prej tyre janë tashmë në fazën e zbatimit. 
  • Për 37 projekte pritet fillimi i procedurës së tenderimit për zgjedhjen e kontraktorit. 

Kjo është një tregues se zbatimi po ecën mirë. 

Tashmë ka filluar ndërtimi i kopshteve për fëmijët, fushave sportive, rinovimi dhe ndërtimi i rrugëve, rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit... 

Në lidhje me thirrjen e dytë, dua të theksoj se kriteret për pjesëmarrje në pjesën më të madhe do të jenë të njëjta si në thirrjen e parë, por të lehtësuara për sa i përket afatit për paraqitjen e dokumenteve dhe fillimin e procedurës së prokurimit publik, domethënë do të vendoset duke u bazuar në dy kritere: 

  • Sipas banorëve rezident të çdo vendbanimi, bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë. 
  • dhe kompletimi i dokumentacionit të nevojshëm të projektit me të gjitha lejet dhe miratimet e nevojshme për fillimin e procedurës së prokurimit publik, me një vlerësim të rishikuar të kostos, jo më të vjetër se 12 muaj. 

Të drejtë për pjesëmarrje kanë të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale, të cilat mund të aplikojnë me një ose më shumë projekte infrastrukturore nga fusha të ndryshme, p.sh.: 

  • Kultura 
  • Sporti
  • Mjedisi jetësor
  • Infrastruktura rrugore (Ministria e Transportit dhe Komunikimeve)
  • Politika sociale
  • Arsimi

Afati për paraqitjen e formulareve të aplikimit dhe dokumentacionit të projektit është deri më 30.04.2025. 

Edhe këtë herë, për transparencën dhe monitorimin e të gjithë procesit, është formuar një organ koordinues qeveritar, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe do të përfshijë përfaqësues nga të gjitha ministritë përkatëse. 

Mjetet financiare do të shpërndahen përmes 6 ministrive përkatëse sipas fushës së projekteve. 

Të nderuar, 

Kjo masë është tërësisht e drejtuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve tanë dhe bazohet ekskluzivisht në nevojat reale të komunave dhe banorëve të tyre, duke qenë e dedikuar drejt zhvillimit real. 

Nuk ka asnjë gram politikë në të, dhe provë për këtë janë rezultatet e thirrjes së parë, dhjetëra projektet e financuara në komunat në të cilat kryetarët janë nga opozita. 

Edhe këtë herë, i inkurajoj të gjithë kryetarët e komunave, pavarësisht nga përkatësia politike, të aplikojnë për financimin e projekteve që do të kontribuojnë në një të ardhme më të mirë për qytetarët. 

Ne premtuam zhvillimin e komunave, dhe po e realizojmë atë. 

Me këtë thirrje, vazhdojmë marrëdhënien e partneritetit të Qeverisë me komunat dhe qytetarët, me qëllim të kontributit në përmirësimin e infrastrukturës në nivel lokal, me ndikim direkt në rritjen e zhvillimit ekonomik, zhvillimin në komuna dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve tanë. 

Besoj se kryetarët e komunave tashmë janë të gatshëm ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të aplikuar, gjë që do të kontribuojë në një progres edhe më të madh për të gjithë vendin.