Takimi i Osmanit me Kryetaren dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Cederfelt dhe Montella

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, priti delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Kryetarja, Margaret Cederfelt dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella.

 

Takimi u mbajt me qëllim të vendosjes së kontakteve në nivelin më të lartë, për të përcjellë mbështetjen për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023 dhe për të diskutuar situatën aktuale të OSBE-së dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe kryesuesit, si dhe prioritetet tona si kryesues të ardhshëm të OSBE-së.

 

Ministri Osmani theksoi se diplomacia parlamentare është e një rëndësie të madhe, veçanërisht në kohën e agresionit të hapur ndaj një vendi pjesëmarrës, tensioneve gjeopolitike dhe pasigurisë.

 

“Maqedonia e Veriut i kushton rëndësi të madhe dimensionit parlamentar të OSBE-së. Përfshirja e deputetëve në ballafaqimin me rreziqet dhe sfidat e sotme të sigurisë, si dhe në promovimin e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së, i shton vlerë të rëndësishme komunikimit të rregullt diplomatik, në kërkim të zgjidhjeve të qëndrueshme”, tha Osmani.

 

Në të njëjtën kohë, bashkëbiseduesit ranë dakord se roli i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së është i një rëndësie jetike në forcimin e dialogut dhe krijimin e diskutimit politik që synon promovimin e stabilitetit, bashkëpunimit dhe zhvillimit socio-ekonomik në rajonin e OSBE-së.