Kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministrin për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, kryen inspektimin e punëve për ndërtimin e urës në lagjen Proevce në lumin Kumanovka, që është në fazë përfundimtare.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se po përfundon para kohë afati i parashikuar për rikonstruimin e urës te Proevce, që është si lloj autostrade e Kumanovës, por edhe lidhje e rëndësishme, për kryqëzimin e autostradës A1 me Republikën e Serbisë, si dhe me rrugën kryesore A2 përmes së cilës Republika e Maqedonisë së Veriut lidhet me Republikën e Bullgarisë.
“Kjo urë kanalizon komunikacionin edhe në rajonet e komunave Sveti Nikole, Shtip, Koçan dhe qytete dhe qyteza të tjera në pjesën lindore të vendit tonë. Tashmë kjo urë, e cila lidh një seksion me një fluks të madh mjetesh, një pjesë e madhe e së cilës janë mallra të rënda, është sërish e sigurt për qarkullim. Siç e premtuam, e mbajtëm premtimin – para fillimit të dimrit, qytetarëve tanë u sigurojmë një urë të re të rehabilituar e të sigurt për qarkullim. Qeveria që unë udhëheq ka një drejtim të qartë, që është një e ardhme evropiane dhe një jetë cilësore dhe e sigurt për të gjithë qytetarët tanë dhe brezat që vijnë pas nesh. Ne investojmë në infrastrukturën moderne rrugore. Ne po rinovojmë rrugë të vjetra dhe po ndërtojmë rrugë të reja, sepse është e rëndësishme për qytetarët, është e rëndësishme për sektorin e biznesit, është e rëndësishme për investitorët, për turistët. Është prioritet për qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë në zona urbane, qytete, vendbanime apo fshatra, të kenë rrugë të sigurta dhe të besueshme. Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja gjatë pesë viteve të fundit ka ndërtuar rrugë në gjatësi prej rreth 1300 kilometra, që është dyfish më shumë se dhjetë vitet e kaluara, kur janë ndërtuar vetëm rreth 650 kilometra”, tha Kovaçevski.
Ministri Boçvarski tha se investimet në projekte kapitale nënkuptojnë përmirësim të jetës së qytetarëve, zhvillim të ekonomisë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Nuk është rastësi që jemi fokusuar në infrastrukturën e përgjithshme në të gjithë vendin, e gjitha për të mundësuar një zhvillim të balancuar rajonal, për të krijuar kushte për një klimë të favorshme biznesi për ekonominë, për të ndihmuar qytetarët në këto kushte të krizës ekonomike dhe energjetike.
Për qytetarët nga rajonet e tjera rehabilitimi i kësaj ure ndoshta nuk do të thotë asgjë, por për qytetarët e Kumanovës, Kriva Pallankës, Sveti Nikollës, komunave tjera të rajonit, madje edhe udhëtarëve të huaj që kalojnë transit nëpër këtë autostradë, kjo do të thotë siguri më e madhe në komunikacion, kushte më të mira komunikacioni, infrastrukturë më të mirë, zhvillim i kësaj zone industriale.
Mund të them lirisht se këtu në Kumanovë nuk ka pothuajse asnjë drejtim që nuk është rehabilituar:
- përfunduam drejtimin rrugor për në Sveti Nikollë,
- rrugën drejt Nikushtakut,
- rrugën drejt Opajes,
- drejt Likovës,
- rrugën drejt Sopotit,
- përfunduam me rehabilitimin e magjistrales nga Kumanova në Stracin,
- përfunduam me rehabilitimin e urës Iskrin,
- vitin e ardhshëm do të fillojmë me rehabilitimin e aksit rrugor Tabanoc.
Në pjesën e rrugëve lokale, për Komunën e Kumanovës janë vendosur në dispozicion gati se 2 milionë euro.
Investuam 3.3 milionë euro për furnizimin me ujë në komunë”, tha Boçvarski.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi tha se ura është me trarët kryesorë prej çeliku në pesë hapësira me gjatësi 172.5 metra dhe gjerësi rrugësh 6.5 metra dhe trotuare në të dyja anët nga 1 metër secila.
“Rehabilitimi ka përfshirë këto trarë çeliku si dhe përforcimin e të gjitha vendeve të shtyllave, ndërrimin e shtrirjeve të vjetra dhe të dëmtuara, rehabilitimin dhe përforcimin e trotuarit të ri, trotuaret e reja, gardhin e urës së re, hidroizolimin e ri dhe ndërtimin e asfaltit. Realizues i punimeve është SINTEK INZHENERING - SHKUP, mbikëqyrës është Geing-Shkup, ndërsa mjetet e parashikuara për rehabilitimin e urës janë në shumë prej 59,7 milionë denarë (rreth një milion euro). Punimet janë në fazën përfundimtare dhe aktualisht po punohet në fushën e fundit dhe në shtyllën e fundit nga ana e Kumanovës”, tha Rustemi.