Në konferencën e sotme për shtyp të zëdhënësve të Qeverisë, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha dhe bashkëpunëtorit për energjetikë, Viktor Andonov, u prezantuan informacionet më të reja për gjendjen energjetike në vend dhe vendimet nga mbledhja e djeshme e 119-të e Qeverisë.
Bashkëpunëtori Andonov tha se ky vit filloi me prodhim stabil të energjisë elektrike vendore.
“Disa ditë me radhë në janar, EMV prodhon dhe shet teprica të energjisë elektrike gjatë natës. Për periudhën prej 12-17 janar 2023, gjithsej janë shitur 1.980 MWh energji elektrike, si teprica të natës në një procedurë publike dhe transparente nga EMV, për të cilën publiku është informuar në kohë. Bilanci energjetik i datës 17 janar 2023 tregon se prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike është 17.752 MWh, nga të cilat 13.801 MWh janë nga termocentralet, ndërsa 3.951 MWh nga burimet e ripërtërishme. Janë shitur edhe tepricat elektrike të natës prej 330 MWh. Me këto sasi plotësohen tërësisht nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël”, shtoi Andonov.
Siç theksoi ai, nga ky prodhim i EMV-së janë plotësuar edhe nevojat e obligimeve shtesë që Furnizimi EMV i mori nga Qeveria, për veprimtaritë jetike, siç janë spitalet, ndërmarrjet publike, kompanitë e sektorit ushqimor dhe objektet e tjera infrastrukturore vitale në vend.
“Në prag të fillimit të vitit shkollor, dëshiroj t'u bëj edhe apel shkollave fillore dhe të mesme që nuk janë paraqitur për energji elektrike të subvencionuar që këtë ta bëjnë menjëherë. Ministria e Arsimit gjatë ditës së djeshme gjithashtu u bëri thirrje shkollave që të aplikojnë për energji elektrike të subvencionuar, për të cilën shërbimet EMV-së janë në dispozicion të tyre. Afati i aplikimit për energji elektrike të subvencionuar për periudhën nga 1 shkurti 2023 skadon të premten, më 20 janar 2023. Interes i përbashkët është që fëmijët të kenë mësim të pandërprerë dhe klasa të ngrohta, kurse shkollat të kenë shpenzime më të ulëta për energji elektrike”, tha bashkëpunëtori për energjetikë Viktor Andonov.
Në konferencën për shtyp, zëdhënësi Arsovski informoi se në mbledhjen e djeshme Qeveria shqyrtoi Informacionin për përpilimin e një Projekti për rindërtimin dhe rivitalizimin e shkollës së vjetër "Dimitar Vllahov" në fshatin Lubojno dhe për përshtatjen e saj në Qendër për promovimin e gjuhës maqedonase. Ai po ashtu tha se procedurën e ka iniciuar Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore dhe Muzeu - Manastir, ndërsa Ministria e Kulturës është e ngarkuar që t’i ndërmarrë të gjitha veprimeve të mëtutjeshme lidhur me përshtatjen.
“Krahas veçorive të jashtëzakonshme arkitekturore, ajo ka edhe vlera të jashtëzakonshme shoqërore-sociale dhe historike me shenjë kombëtare”. Në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore në këtë shkollë filloi mësimi i gjuhës maqedonase dhe kjo është shkolla e dytë, pas Podvisit, ku praktikohet mësimi i gjuhës maqedonase”, informoi Arsovski.
Lidhur me vendimet e kuadrit, zëdhënësi Hoxha informoi se Qeveria shkarkoi drejtorin e Drejtorisë për Ekzekutim të Sanksioneve, Marjan Spasovski, ndërsa për drejtoreshë të Shërbimit Pedagogjik Qeveria emëroi Vangelia Velevën, pas shpalljes publike të hapur më parë, në të cilën Veleva ishte kandidate e vetme e regjistruar në mënyrë të rregullt.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeveria e shtetit të Izraelit përfunduan negociatat për bashkëpunim në fushën e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare.
Në këtë kontekst, dëshirojmë të theksojmë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme miratoi Informatën e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe shqyrtoi dhe pranoi tekstin e harmonizuar të marrëveshjes për bashkëpunim me shtetin e Izraelit në këtë sferë.
Vendosja e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit për bashkëpunim në fushën e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare ka për qëllim avancimin e shkëmbimeve tregtare dhe teknike, si në aspektin ekonomik dhe social, ashtu edhe në drejtim të thellimit të lidhjeve të ndërsjella për modernizimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike”, tha zëdhënësi Hoxha