Kryesuesi i OSBE-së, Ministri, Bujar Osmani, sot realizoi vizitën e tij të parë në misionin në terren në cilësi të Kryesuesit, duke e vizituar Misionin e OSBE-së në Shkup, ku u takua me Shefin e Misionit, Ambasadorin Kilian Vall.
Misioni i OSBE-së në Shkup është misioni më i vjetër në terren i kësaj organizate, i cili është themeluar 30 vjet më pare. Osmani e shfrytëzoi vizitën për t’u njohur nga afër me aktivitetet që Misioni i kryen në mbështetje të Maqedonisë së Veriut e të cilat janë të rëndësishme si për qytetarët ashtu edhe për institucionet.
“Projektet e realizuara nga Misioni i OSBE-së janë në dobi të madhe për shtetin dhe paraqesin përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët e vendit. Programet e OSBE-së janë në përputhje me qëllimet prioritare të Qeverisë dhe paraqesin shprehje të partneritetit, që është me vlerë të madhe për të gjitha palët”, tha Osmani.
Gjatë vizitës, Osmani pati mundësinë të vizitojë qendrën policore në Gjorçe Petrov, ku në prani të Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski pati mundësinë të takohet me gra pjesëtare të njësive policore të cilat janë shfrytëzuese të trajnimeve në kuadër të programeve të Misionit të OSBE-së, si dhe morën pjesë në një stërvitje të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Antiterroriste - Tigrat dhe Njësisë K9 pranë MPB-së.
“Rritja e përfshirjes së grave në të gjitha fushat e jetës shoqërore, e veçanërisht në fushën e sigurisë, është një nga angazhimet dhe prioritetet kryesore të kryesimit të OSBE-së në vitin 2023. Është për t'u përshëndetur që përmes këtyre dhe projekteve të tjera, Misioni i OSBE-së ofron mbështetje dhe bën përpjekje për të ndihmuar në proceset e përmirësimit dhe profesionalizmit në administratën publike”, theksoi Osmani.
Osmani i përshëndeti edhe përpjekjet e Misionit të OSBE-së për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta dhe sigurinë kufitare.
“Objekti dhe kushtet që i ofron, si dhe stërvitja demonstruese, janë konfirmim i përmirësimit të kapaciteteve operacionale të njësisë speciale të policisë së MPB-së. Projekti do të ndihmojë dukshëm në përmirësimin e masave për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Maqedoninë e Veriut, e me këtë edhe sigurinë e qytetarëve të vendit”, tha Osmani.
Agjendën e tij, Osmani e përfundoi me një vizitë në Zyrën në terren të OSBE-së në Tetovë, ku pati rastin të bisedojë me të rinjtë e vendit të cilët janë pjesë e programeve të suksesshme në arsimin shumëgjuhësh.
“Do ta theksoja punën e vazhdueshme të Misionit për mbështetjen e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, që synon ndërveprimin mes bashkësive etnike dhe në këtë mënyrë arritjen e një kohezioni edhe më të madh social”, tha Osmani.
Ai u takua edhe me nxënës të cilët janë pjesë e projektit të Misionit të OSBE-së për luftën ndaj gjuhës së urrejtjes, i cili zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me policinë lokale, me fokus në çështjen e luftimit të këtij fenomeni nga perspektiva e përkatësisë etnike dhe barazisë gjinore.
Kryesuesi i OSBE-së, Ministri Osmani, theksoi se puna e OSBE-së në Maqedoninë e Veriut përfshin aktivitete të shumta nga një gamë e gjerë fushash si: Sundimi i ligjit, ndërtimi i institucioneve të forta demokratike, gjyqësi e pavarur, respektim i të drejtave të njeriut, liria e medias, ofrimi i ndihmës dhe mbështetjes për reformat në sistemin zgjedhor, përmirësimi i faktorëve socio-ekonomikë dhe proceset politike gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e plotë të shoqërisë civile.
“Në këtë kontekst, dëshiroj të përshëndes qasjen dhe punën e Shefit të Misionit, Ambasadorit, Kilian Vall dhe të gjithë ekipit të tij në zhvillimin e projekteve dhe programeve që janë të dizajnuara për përpjekjet reformuese të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe në drejtimin e rritjes së qëndrueshmërisë së shoqërisë në përballjen me sfidat e reja”, tha Osmani.
Kryesuesi i OSBE-së, Osmani paralajmëroi edhe intensifikimin e ndërveprimit me misionet në terren, si dhe vendosjen e sinergjisë ndërmjet prioriteteve të kryesimit dhe atyre të misioneve në terren për t’i mbështetur dhe inkurajuar njerëzit që kanë nevojë për ndihmë.
Theksoi se do të ketë vizita edhe në vende të tjera ku OSBE-ja i ka misionet e veta dhe prezencë në terren, duke theksuar se këto misione në terren ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve, të cilat janë në fokus të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-së.