Viti 2023 është vit i një investimi të madh në infrastrukturë, mjedisin jetësor, në arsim dhe kulturë për gjeneratat e ardhshme

Një vit i suksesshëm 2022 në realizimin e investimeve kapitale. I tejkaluam sfidat e shkaktuara nga kriza globale ekonomike dhe energjetike dhe realizuam me sukses aktivitetet programore të Qeverisë në fushën e infrastrukturës, mjedisit, kulturës dhe arsimit. Ky vit 2023 është vit i sfidave të reja dhe ne do të mobilizojmë të gjitha burimet e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të siguruar përparimin kulturor dhe ekonomik të vendit. Kështu u tha në panelin e diskutimit me rastin e konferencës vjetore të Qeverisë të titulluar “Viti i mundësive të reja”.

Në panelin kushtuar projekteve kapitale si dhe zhvillimit të kulturës dhe arsimit në kushte krize, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Bochvarski,ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevskës, drejtori i NP të Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi dhe dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, profesor Dr. Goran Markovski.
Në fjalimin e tij, ministri Boçvarski theksoi se investimet kapitale vitin e kaluar kanë pasur një realizim rekord si në numër ashtu edhe në cilësi.
 
“Ne jemi duke investuar mbi një miliard euro për infrastrukturën. Filluam projektin më të madh për ndërtimin e korridorit hekurudhor 8 drejt Bullgarisë me vlerë mbi gjysmë miliardë euro. Për vetëm një vit përfunduam ndërtimin e dy autostradave të shpejta nga Shtipi në Koçan dhe nga Shtipi në Radovish, një investim prej mbi 100 milionë euro. Gjithashtu, kemi rindërtuar mbi tridhjetë rrugë rajonale. Ne ofrojmë mbështetje maksimale për komunat përmes rindërtimit të rrugëve lokale, vetëm vitin e kaluar janë rehabilituar rreth 130 rrugë. Ndihmojmë edhe në pjesën e ndërtimit të ujësjellësve dhe kanalizimeve. E vazhduam masën për sjelljen e linjave të reja ajrore. Këtë vit pres një zgjerim të fuqishëm ndërtimor në të gjithë vendin, veçanërisht për ndërtimin e mbi 140 kilometrave autostradë në Korridorin 8 dhe 10d. Maqedonia e Veriut tashmë është në rutën kryesore evropiane”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.

Drejtori i NP për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi theksoi se ky vit ndërmarrja publike ka buxhetin më të madh të parashikuar për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve shtetërore.
 
Janë planifikuar 486 milionë euro për investime, ndaj shpresojmë që buxheti i projektuar do të jetë i mjaftueshëm për arritjen e synimeve të Programit Vjetor për vitin 2023.

Në të hyrat e planifikuara dhe të ardhurave të NPRrSh-së janë paraparë edhe 244 milionë euro nga Buxheti i RMV-së për vitin 2023, përmes Ministrisë së Transportit Lidhjeve, në përputhje me Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për zbatimin e Projektit për ndërtimin infrastrukturor të Korridorit 8, për autostradën Tetovë - Gostivar - Bukojçan dhe Trebenishtë - Strugë – Qafë Thanë, si dhe Korridori 10d për aksin rrugor të autostradës Prilep - Manastir. Ky projekt shumë i rëndësishëm për vendin dhe rajonin së shpejti do të bëhet realitet, një realitet që do të mundësojë qasje më të lehtë në mallra, shërbime dhe kapital.

Pra, këtë vit vazhdojmë me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, projekt ky që presim të përfundojë deri në fund të këtij viti.Jemi duke vazhduar edhe me ndërtimin e autostradës Shkup - Bllacë, ku faza e parë është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë këtë vit. Por, këtë vit do të fillojmë punimet ndërtimore për fazën e dytë, gjegjësisht dhjetë kilometrat e mbetura të këtij aksi rrugor shumë të rëndësishëm. Këtë vit do të fillojmë ndërtimin e autostradës Kërçovë-Bojkoçan.Deri në fund të këtij viti presim t’i përfundojmë punimet ndërtimore në këto akse rrugore: rruga rajonale Izvor-Garski most, rrugë që do të lidhë qytetet e Kërçovës dhe Dibrës dhe do të shkurtojë kohën e udhëtimit,rrugët e shpejta Gradsko-Drenovë, Farish – Drenovë dhe Kriva Pallankë – Rankovc,rikonstruimi dhe ndërtimi i korsisë së tretë të rrugës shtetërore Kriva Pallankë – Deve Bair, rrugët rajonale Manastir-Mexhitlia, Strugë-Qafë Thanë, Shkup – Bllacë, Katllanovë – Veles dhe Veles – Gradsko, si dhe drejtime të tjera rrugore. Të gjitha këto projekte do të thonë sigurim i jetës cilësore për qytetarët, lidhjen ekonomike dhe rrjedhimisht përforcimin ekonomik të rajoneve në vend”, theksoi drejtori Rustemi.

Aktivitet të fuqishëm infrastrukturor ka paralajmëruar edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

“Vitin e ardhshëm 2023 e konsideroj si vit të mundësive për mjedisin, sepse realisht kemi punuar shumë në periudhën paraprake dhe kemi ofruar të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve kapitale shumë serioze infrastrukturore që do të mundësojnë që çdo vendbanim të ketë ujë të pijshëm të pastëdhe do të ketë një sistem të përshtatshëm të menaxhimit me mbeturinat. Po investojmë në infrastrukturën bazë nëpër komuna dhe në një të ardhme më të mirë për qytetarët”, theksoi në fjalimin e tij ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini. Njëkohësisht, Nuredini theksoi se për të arritur një shkallë të lartë të realizimit të projekteve të përmendura, nevojitet edhe kapaciteti i duhur i komunave, sepse në fund të fundit ato janë zbatuese të projekteve. “Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka qenë dhe do të jetë e hapur për bashkëpunim, mbështetje financiare dhe logjistike për pushtetet lokale, si dhe komunat më të vogla do të kenë qasje në fondet e ofruara dhe do të jenë të gatshme të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë e ofruara ”, tha para të pranishmive ministri Naser Nuredini.
Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, në vitin 2022 MASH-i ka realizuar pothuajse të gjitha synimet e përcaktuara në programin e punës. Ai paralajmëroi një tempo edhe më të përforcuar të punës këtë vit, pasi siç tha ai, i gjithë procesi i integrimit të vendit në BE është duke u intensifikuar.

“Vitin e kaluar ishim të fokusuar në disa aspekte të arsimit – infrastrukturës, programeve të reja  dhe teksteve të reja arsimore, mbështetje për zhvillimin profesional dhe rritjen e motivimit të stafit mësimdhënës, gjithëpërfshirjen, standardet e nxënësve dhe studentëve dhe investimin në shkencë dhe kërkime. Të njëjtat prioritete mbeten edhe në këtë vit të ri kalendarik, në atë që kemi një Buxhet prej 450 milionë eurosh, që është 8.4% më i lartë se vitin e kaluar”, tha ministri Shaqiri, duke shtuar se kjo konfirmon se arsimi do të jetë fushë prioritare për investime, madje dhe në kushtet e krizës së theksuar ekonomike dhe energjetike.

Në kulmin e krizës globale shëndetësore, kultura dhe arti ishin një strehë. E lehtësuan distancimin social. Ishim vetëm, por nuk ishim të vetmuar, theksoi ministrja Kostadinovska - Stojçevska.

“Kultura në vetvete është një investim kapital. E kombinuar me ndërgjegjësimin tonë për rolin dhe rëndësinë e saj, ajo sjell një përfitim të madh që nuk matet vetëm si përfitim ekonomik. Për ne, një investim kapital në kulturë është të ndërtojmë me dashuri një hapësirë në të cilën e djeshmja jonë, e sotmja jonë, e nesërmja jonë do të jetojnë përgjithmonë. Le të mbrojmë themelet e godinave që dëshmojnë identitetin tonë, historinë tonë të veçantë. Të ruajmë thesaret që i kemi me dekada të kulturës sonë, t'i mbajmë monumentet nga LÇM-ja si monumente dhe përkujtues. Dhe ne i kemi si trashëgimi dhe si mbështetje. Unë besoj se një kombinim fitues është kur investimi kapital dhe investimi në potencialin e vet artistik ecin paralelisht. Sepse investimi në kulturë është investim në mbështetjen tonë”, theksoi ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, profesor dr. Goran Markovski, theksoi se nevojitet një koordinim i fuqishëm ndërmjet institucioneve arsimore dhe shtetërore për realizimin në kohë dhe cilësor të projekteve kapitale.
 
“Ndërtimi luan një rol të madh në krijimin e Bruto Produktit Vendor dhe nga ky aspekt është e nevojshme të rritet vlera e kapitalit njerëzor për të pasur projekte kapitale të suksesshme”, theksoi profesori Goran Markovski.