Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi informuan për vendimet më të reja të Qeverisë.
Kryeministri informoi se Qeveria në mbledhje solli vendim me të cilin ngrihet çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, të prerë në feta ose të plota, në 33 denarë, gjegjësisht çmimin prej 33 denarë për bukë me peshë prej 450 gram e më shumë, ndërsa për bukën nën 450 gram sipas peshës së bukës është caktuar çmimi deri në 33 denarë. Qeveria solli vendim me të cilin prodhuesit e ushqimit do të furnizohen me energji elektrike në përputhje me Ligjin për Energjinë dhe rregullat për furnizim me energji elektrike.
"Nuk do të lejoj rritje të pajustifikuara të çmimeve. Ka kaluar një periudhë e mjaftueshme që nga miratimi i pakos së fundit të masave kundër krizës që çmimet të harmonizohen sepse ndihma nga shteti ishte në kohë dhe reale. Edhe pse kompanitë ushqimore kanë marrë energji elektrike të subvencionuar, ato nuk i kanë ulur çmimet e produkteve të tyre apo i kanë ulur në mënyrë të parëndësishme. Kjo vlen për disa nga prodhuesit e produkteve ushqimore bazë. Disa ulën çmimet nga shtatë në 12 për qind. Prandaj në mbledhjen e sotme të qeverisë anuluam këtë masë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Ministri Bekteshi sqaroi se me çka ka të bëjë ky vendim.
"Nëse në tetor dhe nëntor çmimi i karburanteve si input në pjesën e prodhimit, për shembull Eurodizel ishte 99,55 dhe në nëntor mesatarisht 93 denarë, sot ose gjatë janarit e deri më sot çmimi mesatar është 77, 88 denarë dhe ka njoftime se do të ulet edhe më tutje sot me vendim të KRRE-së. Çmimi mesatar i gazit natyror, të cilin disa prodhues të mëdhenj e përdorin si energji për prodhimin e bukës, veçanërisht për qytetin e Shkupit, në tetor ishte 134,9 euro për megavat orë, në nëntor 116,82 euro për megavat orë, në janar 56,57 euro për megavat orë dhe shkurt 51.01 euro për megavat orë. Tani të gjithë mund të bëjmë vlerësime në përqindje se sa janë ulur çmimet në sektorin e energjisë. Sa i përket çmimit të rrymës, çmimi mesatar sipas HUPEKS-it për muajin tetor ishte 193,94 euro, për nëntor 222,74 euro, për dhjetor 261,15 euro, ndërsa të gjithë prodhuesit kanë marrë çmim preferencial prej 80 euro. Në janar 148.69 euro, dhe të gjithë prodhuesit kanë marrë çmim të subvencionuar prej 80 euro për megavat orë. Dhe në muajin shkurt 145,99 euro, ndërsa të gjithë prodhuesit kanë marrë çmim prej 80 euro për megavat orë. Çmimet janë pa shpenzim për transmeti dhe shpërndarje, që do të thotë se ato janë minimalisht 20 për qind më të larta se grafiku. Ndërsa të gjithë prodhuesit kanë marrë një çmim prej 80 euro për megavat orë. Mielli në vendin tonë me shumicë, çmimi mesatar tetor-nëntor është 30 denarë për kilogram. Çmimi mesatar janar-shkurt është 28 denarë për kilogram. Çmimi varion nga 26 deri në 28 denarë. Lidhur me rrymën e subvencionuar të energjisë elektrike, ministri tha se ajo është duke u anuluar pasi kompanitë që e kanë shfrytëzuar nuk kanë ulje çmimi, që ka qenë edhe qëllimi kryesor i masës.
Në vitin 2022, dy pakot e masave të Qeverisë kundër krizës arritën në mbi 760 milionë euro. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Maqedonia e Veriut ka ndarë mbështetjen më të lartë buxhetore në rajon, 5% të PBB-së për përballimin e krizës. Qeveria mori masat për të siguruar një vjeshtë dhe dimër të qetë dhe të parashikueshme, në mënyrë që qytetarët dhe kompanitë të dinë se cilat do të jenë shpenzimet e tyre dhe si mund të funksionojnë, tha Kryeministri.
“Masat antikrizë, në kohë të krizës globale, nuk i miratuam që disa të jenë të privilegjuar në favor të të tjerëve. Masat antikrizë nuk i miratuam që disa të paguajnë, të tjerë të pasurohen. Masat antikrizë nuk u miratuam që të dëmtojnë qytetarët, ndërsa të përfitojnë individë. Pjesë e masave të dedikuara ndaj kompanive-prodhuese të prodhimeve ushqimore ishin me një qëllim të vetëm, subvencionet nga shteti të mundësojnë të ulin çmimet e produkteve bazë, që në këtë mënyrë t’u ndihmohet qytetarëve. Domethënë qëllimi përfundimtar ishte t’u ndihmohet qytetarëve”, tha Kryetari i Qeverisë.
Kovaçevski theksoi se mbështetja për qytetarët dhe kompanitë vazhdon edhe në vitin 2023. Gjithsej 225 milionë euro janë paraparë për këtë vit në buxhet në një program të veçantë për përballimin e krizës energjetike dhe për masat për mbështetje.
“Unë jam një person që zbatoj politika reale dhe jam i vendosur, por të gjitha e bazoj në konsultime serioze dhe të gjata me ekspertë, me përfaqësues të punëdhënësve, me shoqatat e pensionistëve, me përfaqësues të odave ekonomike... Respektimi i këtyre masave është një tregues se ku shkojmë si shoqëri. Qeveria nuk përjashton askënd nga ndihma për përballimin e sfidave, marrim masa antikrizë për të përfshirë të gjithë. Kështu është, kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.