Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot, në Gjeorgji u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të vendit, Ilia Darçiashvili.
Në pres-konferencën e përbashkët në Tbilisi, Osmani theksoi se si Kryesuse, Maqedonia e Veriut përpiqet për zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të konflikteve që prekin Gjeorgjinë, duke aluduar në vazhdimin e adresimit të këtyre çështjeve në kuadër të kanaleve kryesore diplomatike për dialog, që janë nën udhëheqjen e përbashkët të BE-së, OSBE-së dhe OKB-së.
“Dialogët Ndërkombëtarë në Gjenevë dhe Mekanizmi për Parandalimin dhe Përgjigjen ndaj Incidenteve janë procese vitale diplomatike, të cilat duhet të mbeten të hapura, jo vetëm që të shmangen eskalimet e mëtejshme, por edhe për t'u ballafaquar me pasojat e konfliktit të vitit 2008 në Gjeorgji”, theksoi Osmani.
Përndryshe, Dialogët Ndërkombëtarë në Gjenevë, janë e vetmja platformë ku të gjithë pjesëmarrësit relevantë takohen në nivel politik që nga viti 2008, e të cilët fokusohen në çështjet e sigurisë dhe ato humanitare. Një nga arritjet kryesore të Dialogëve Ndërkombëtar në Gjenevë është vendosja e Mekanizmit të përbashkët për Parandalimin dhe Përgjigjen ndaj Incidenteve, qëllimi i të cilëve është qetësimi i tensioneve.
Në kontekst dhe në drejtim të mesazhit të Kryesimit “Fjala është për njerëzit”, Osmani e potencoi mbështetjen e tij në të gjitha qasjet pragmatike për zgjidhje paqësore të situatës, me qëllim që të sigurohen rezultate reale, pikërisht për njerëzit të cilët janë prekur nga konfliktet.
“Më lejoni të jem i qartë, ata e presin këtë nga ne. Le t'u ofrojmë rezultate reale që do t'u mundësojnë ta jetojnë jetën në paqe dhe prosperitet”, theksoi Osmani.
Ai gjithashtu shtoi se OSBE-ja nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të përmirësuar gjendjen e tyre dhe në bashkëpunim me partnerët e saj, do të vazhdojë ta promovojë lirinë e lëvizjes dhe të ngrejë çështje thelbësore humanitare, veçanërisht për personat e burgosur, të zhvendosur dhe të zhdukur.
Në deklaratën e tij, Kryesuesi Osmani po ashtu theksoi se OSBE-ja do të vazhdojë angazhimin e saj për të mbështetur gratë e zhvendosura dhe të rinjtë të cilët janë të prekur nga konflikti.
“Duhet të kërkojmë mënyra për të forcuar procesin e pajtimit”, tha Osmani dhe konfirmoi se në kuadër të aktiviteteve të tij në Gjeorgji do të realizojë edhe vizita në terren me qytetarët me qëllim që drejtpërdrejtë nga ata të njoftohet më shumë për sfidat me të cilat ballafaqohen.
Në fund të takimit, Osmani ritheksoi se OSBE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje thelbësore në zbatimin e zotimeve në tri dimensionet e Organizatës, gjë e cila do të kontribuojë në proceset e reformave të brendshme të Gjeorgjisë.
“Për shumë vite, OSBE-ja dhe vendet e saj pjesëmarrëse si Gjeorgjia kanë luajtur një rol integral në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit më të gjerë të OSBE-së. Prandaj, më lejoni t'ju siguroj se qëllimi im si Kryesues i OSBE-së është forcimi dhe thellimi i bashkëpunimit tonë dhe promovimi i paqes dhe stabilitetit në këto kohëra të pasigurta”, përfunduar Osmani.