Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot mbajti fjalim në hapjen e konferencës “Transparenca dhe llogaridhënia – Çift i përsosur për rikthimin e besimit në institucionet”, që u mbajt sot në hotelin “Limak” në Shkup.
Në hapjen e konferencës mori pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Metju Loson.
Në bashkëngjitje të kumtesës e përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në konferencë:
“Kam nderin që jam pjesë e kësaj konference sot dhe që kam mundësinë të diskutoj këtë temë së bashku me Institutin për Studime të Komunikimit, bashkë me të gjithë të ftuarit, me ambasadorin e respektuar të Britanisë së Madhe, z. Lason, me të gjitha mediat.
Mendoj se të gjithë e dinë tashmë që edhe si Kryeministër edhe si person jam një person që do numra dhe fakte. Numrat dhe faktet nuk gënjejnë, nuk i nënshtrohen interpretimit dhe interpretimeve të ndryshme.
Kështu që do të filloj me një fakt. Fakt është se që nga viti 2017 e në vazhdim, Qeveria është e hapur dhe transparente dhe këtë e dëshmojnë numrat që dalin nga matjet vjetore, metodologjikisht të qëndrueshme dhe të krahasueshme.
Shifrat për Qeverinë, sipas Qendrës për Komunikime Qytetare, e cila mat Indeksin e Transparencës Aktive, thonë se në vitin 2016 ka pasur transparencë 25%, e cila fillon të rritet dhe në dy vitet e fundit arrin dhe ruan transparencën 100%.
Shifrat sipas matjes rajonale të ActionSEE, e cila mat indeksin e hapjes së 6 vendeve të rajonit në bazë të një sërë treguesish, e pozicionojnë Qeverinë tonë si më të mirën e renditur në raport me 107 institucione që matin në Maqedoninë e Veriut, me një përqindje të lartë prej 77,68% me një për qind prapa Malit të Zi që është 78,68%. Kjo konkurrencë pozitive me Malin e Zi është, sipas mendimit tim, konkurrenca më e shëndetshme që dy vende demokratike mund të kenë mes tyre.
Me rëndësi është të dini se përgjegjësia ka një emër dhe një mbiemër. Çdo institucion ka dikë që e menaxhon dhe persona të punësuar në të me detyra, detyrime dhe përgjegjësi të tyre. Kështu mund të flasim për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila sipas Indeksit ka arritur 100% për disa vite me radhë, financat me 98.1%, shëndetësia me 91.3%, etj.
Është e vërtetë që ka disa ministri që ende nuk kanë arritur nivelin e Qeverisë prej 100%, por këtu më duhet të theksoj se pothuajse të gjitha ministritë kanë një vlerësim të transparencës "shumë mirë" ose "mirë".
Në të njëjtën kohë, marrë në tërësi, transparenca e përgjithshme aktive e institucioneve në vitin 2023 është 76%, në vitin 2021 ishte 63%, për dallim nga viti 2016 kur ishte 45%. Ky është një tregues se ne punojmë në mënyrë aktive për të rritur transparencën.
Ja edhe një fakt tjetër, Qeveria është e hapur. Këtë e dëshmon numri i kërkesave për qasje të lirë në informacione të karakterit publik dhe disponueshmëria e Zyrës së Zëdhënësit për pyetjet e shumta të gazetarëve të përgjigjur çdo ditë.
Në raportin e Sekretariatit të Përgjithshëm për kërkesat për qasje të lirë në informacione të karakterit publik thuhet se në vitin 2019, janë përgjigjur 131 nga 140 kërkesa. Kur flasim për kërkesë, nuk nënkupton një pyetje, por shpeshherë kërkesa përbëhet nga qindra pyetje. Në vitin 2020 janë kërkuar 190 nga 219 kërkesa, në vitin 2021 janë përgjigjur 754 nga 760 kërkesa, në vitin 2022 janë pranuar 58 kërkesa, ndërsa janë përgjigjur 57 kërkesa.
Ekziston edhe një numër i vogël i kërkesave të refuzuara dhe të papranuara në baza ligjore, por nuk ka kërkesa pa përgjigje dhe kjo edhe për shkak të bashkëpunimit me Agjencinë për Qasje të Lirë në Informacione të Karakterit Publik.
Raportet e zyrës sime për qasje të lirë në informacione të karakterit publik thonë se në vitin 2022 kemi pasur 22 kërkesa, në vitin 2021 kemi pasur 40, në vitin 2020 kemi pasur 25 dhe në të gjitha këto tre vjet nuk ka asnjë kërkesë pa përgjigje, gjegjësisht ose është dhënë përgjigje ose është ridrejtuar te institucioni që ka informacionin.
Ajo që dua të komentoj është teza e kësaj konference, gjegjësisht ideja se transparenca e Qeverisë është e një rëndësie vendimtare për besimin e qytetarëve. Qytetarët kryesisht e ndërtojnë besimin në bazë të perceptimit dhe përvojave personale, dhe rrallë të bazuar në fakte dhe matje shkencore. Megjithëse transparenca faktike dhe llogaridhënia mund të jenë të larta, besimi mund të jetë i ulët dhe disa faktorë luajnë një rol kyç në këtë.
Nëse tani dalim jashtë kësaj sallë dhe pyesim qytetarët sa është transparenca e Qeverisë, e cila sipas matjeve është 100%, ata nuk do të përgjigjen me një fakt të matur metodologjikisht, por do të përgjigjen se cili është perceptimi dhe përvoja e tyre për temën për të cilën pyeten.
Nëse pyesim përsëri se sa prej tyre ndjekin informacionin drejtpërdrejt nga kanalet e Qeverisë, dhe sa përmes mediave, ju garantoj se shumica, nëse jo të gjithë, do të tregojnë se informacionet për punën e Qeverisë i ndjekin përmes mediave.
Sigurisht që mediat kanë politikën e tyre editoriale të lirë, të cilën ne e mbështesim, të cilën institucionet as që e kanë menduar ta ndikojnë, por mendimi im këtu është se në perceptimin e qytetarëve ndikojnë mediat me punën e tyre, nga e cila ata janë të informuar. Dhe kjo rrallë herë ka të bëjë me disponueshmërinë e informacioneve, aq sa ka të bëjë me mënyrën e përcjelljes së informacioneve.
Dhe këtu pajtohem me drejtoreshën e Institutit të Studimeve të Komunikimit që duhet të hapet një proces, i cili tashmë po diskutohet në BE, në SHBA lidhur me rregullimin e hapësirës, veçanërisht në mediat sociale. Në sferën e vetërregullimit të mediave, pasi që Qeveria nuk planifikon të rregullojë mediat, mendoj se edhe gjyqësori nuk duhet të rregullojë dhe të ndërhyjë në atë, që është media dhe çfarë nuk është media. Këtë duhet ta bëjnë organizatat e mediave, por edhe organizatat mediatike përmes kritereve të qarta të kualifikojnë se çfarë është media dhe çfarë nuk është media.
Transparenca, edhe pse sigurisht që duhet të jetë në nivelin më të lartë dhe ne si Qeveri krenohemi me atë nivel, megjithatë nuk garanton besimin e qytetarëve. Edhe pse, përkundrazi, mbyllja dhe jotransparenca me siguri që garantojnë mosbesim.
Ka edhe dy arsye të tjera për këtë.
Transparenca nuk është e definuar përgjithmonë, ajo është proces që në vazhdimësi përmirësohet. Në të njëjtën kohë, transparenca nxjerr në pah mangësitë e sistemit. Kjo na ndihmon si ekzekutiv të zbulojmë se ku ka problem që duhet zgjidhur dhe për ne transparenca është si një incizim rëntgeni për institucionet.