Nënshkruhen kontrata me 44 komuna për realizimin e 66 projekteve në nivel lokal, 32.5 milionë euro mjete buxhetore janë ridestinuar për një jetë më të mirë në komuna

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në  ngjarjen me rastin e mbështetjes së Qeverisë për realizimin e projekteve me interes lokal, në pjesën më të madhe të komunave në vend.

Në këtë event u nënshkruan marrëveshjet për realizimin e projekteve konkrete ndërmjet ministrive dhe institucioneve përkatëse dhe komunave.

Në këtë ngjarje morën pjesë zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet ekonomike, koordinim të dikastereve ekonomike dhe investimeve, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, si dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova dhe drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski, si dhe kryetarët e komunave.

“Gjithsej 2 miliardë denarë ose 32.5 milionë euro janë siguruar përmes ridestinimit të mjeteve të mjeteve financiare nga buxhetet e 6 ministrive dhe një agjencie. Gjegjësisht nga ministria e Shëndetësisë, Arsimit dhe Shkencës, Punës dhe Politikës Sociale, Kulturës, Transportit dhe Lidhjeve, Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Agjencisë për Rini dhe Sport. Këto para janë të destinuara për gjithsej 66 projekte, për 44 komuna. Bëhet fjalë për projekte për rindërtimin e rrugëve dhe rrugëve lokale, ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave dhe kopshteve, objekteve shëndetësore, sallave sportive, qendrave kulturore, impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, urave dhe projekte të tjera në pjesën më të madhe të shtetit.

Tashmë kanë përgatitur dokumentacion me të cilin mund të fillojnë punën. Me realizimin e tyre mundësojmë infrastrukturë më të mirë, shërbime më cilësore, arsim dhe shëndetësi më të mirë, si dhe mundësi për më shumë aktivitete sportive dhe mbrojtje më të madhe të shëndetit të qytetarëve”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij në manifestimin e sotëm ku u nënshkruan marrëveshjet për mbështetje buxhetore për komunat.

Duke i theksuar veçmas  buxhetet e ridestinuara nga institucionet, Kryeministri Kovaçevski, theksoi se kjo është vetëm vazhdimësi e përkrahjes së deritanishme të dhënë për komunat.

“Me ndryshimet e Ligjit për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale, në të cilin personalisht kam punuar së bashku me ministrin Besimi, kemi avancuar decentralizimin fiskal dhe kemi rritur të ardhurat e komunave, gjë që shihet më së miri nga Propozim-buxheti për vitin 2024, në të cilin janë rritur transfertat e komunave mbi këtë bazë”, tha Kryeministri Kovaçevski, i cili në fjalimin e tij falënderoi deputetët që morën pjesë në debatin e amendamenteve për rishpërndarjen e buxhetit. Kryeministri Kovaçevski tha se mbështetja për komunat vazhdon dhe se qytetarët meritojnë kushte evropiane për jetesë.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi,  në këtë ngjarje deklaroi:

“Edhe në kushtet e krizës në të cilën përballemi me sfida, nga Buxheti kemi ndarë 2 miliardë denarë me të cilat në 44 komuna do të realizohen 66 projekte për rrugë më të mira, shkolla, kopshte, objekte sportive dhe kulturore. Këto janë mjete të cilat i kemi siguruar përmes mirë menaxhimit të mjeteve të grumbulluara në Buxhet. Këto janë para nga qytetarët për projekte për qytetarët, për kushte më të mira jetese, për arsim më të mirë, për shërbime më të mira shëndetësore, për shërbime më të mira sociale e të ngjashme”, theksoi ministri Besimi dhe shtoi:

 

“Ky është një konfirmim i përkushtimit dhe kujdesit tonë për qytetarët dhe për marrëdhëniet e partneritetit me komunat për ofrimin e shërbimeve më të mira. Vazhdojmë me një qasje të tillë, me mbështetje më të madhe për komunat, me më shumë para për komunat, për të cilat kemi futur një zgjidhje sistemore që rrit mjetet nga buxheti qendror në pushtetin lokal”, tha ministri Besimi dhe shtoi se mjetet e ndara për komunat do të realizohen deri në fund të këtij viti.

Për vitin 2024, sipas ministrit Besimi, për komunat janë ndarë 4,3 miliardë denarë më shumë mjete në krahasim me këtë vit.