Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka vizituar Komunën e Likovës. Kryeministri Xhaferi mori pjesë dhe mbajti fjalim në evenimentin me rastin e inspektimit të kopshtit të ri për fëmijë, si dhe vizitoi Pallatin e Kulturës në fshatin Mateç.
Kryeministri Xhaferi mori pjesë edhe në inspektimin e rrugës së rindërtuar lokale në fshatin Likovë. Më pas ka vizituar Shkollën Fillore “Rilindja” në fshatin Llojan të Komunës së Likovës, ku së shpejti do të fillojë ndërtimi i sallës sportive.
Në vazhdim ju përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Xhaferi në Mateç:
„Mirënjohja më e madhe për punën tonë është kur shihen frytet e saj. Jam i lumtur që sot e vizitova kopshtin e fëmijëve në fshatin Mateç dhe Komunën e Likovës.
Kopshti ka kapacitet për të përkujdesur mbi 117 fëmijë dhe ky është kopshti më i madh në territorin e Komunës së Likovës. Investimi i plotë është 960.000 euro. Objekti është ndërtuar në një sipërfaqe prej 560 metrash katrorë dhe në të do të mund të përkujdesën fëmijët prej foshnje deri në moshën gjashtë vjeçare. Kopshti do të ketë edhe kuzhinën e vet, me kapacitet për përgatitjen e 100 deri në 200 vakte në ditë.
Kopshti është një objekt bashkëkohor me efikasitet energjetik i ndërtuar sipas të gjitha standardeve, me synimin për të siguruar cilësi më të mirë të përkujdesjes dhe edukatës së hershme të fëmijëve, dhe përmirësim të qasjes dhe interesit për shërbimet që kanë të bëjnë me përkujdesjen dhe edukimin e më të dashurve tanë që në moshën e tyre më të hershme.
E vizitova edhe Pallatin e Kulturës këtu në Mateç dhe më vjen mirë që janë siguruar 30 milionë denarë nga Qeveria dhe me bashkëfinancim të komunës.Besoj që së shpejti do të fillojnë punimet për promovimin edhe të këtij proekti.
Të nderuar,
Fëmijët janë themeli i çdo shoqërie. Rritja dhe zhvillimi i tyre i shëndetshëm është gjithmonë në fokusin tonë dhe për këtë arsye jemi të përkushtuar fuqishëm për përmirësimin e kushteve në kopshtet ekzistuese, si edhe në ndërtimin e të rejave nëpër gjithë shtetin. Prej viti 2017 e këndej, janë hapur apo rikonstruktuar gjithsej 83 kopshte në gjithë vendin, me një përfshirje prej mbi 8000 fëmijësh.
Këto nuk janë thjesht shifra, por përfitime dhe mbështetje reale për familjet, si edhe një investim i përhershëm në zhvillimin dhe ardhmërinë e vendit tonë.
E gjithë kjo është një kujdes i vërtetë për fëmijët, për më të vegjlit dhe më të dashurit tanë dhe për të gjithë qytetarët. Këto janë politika që japin rezultate, që dëshmojnë se ne kujdesemi për të gjithë.
Të nderuar të pranishëm,
Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi, siç kemi bërë edhe deri tani. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte evropiane të jetesës, të sigurojmë një standard më të lartë jetese dhe t'i mbajmë të rinjtë tanë në shtëpi. Planifikuam që sa më shpejt të realizojmë perspektivat evropiane. Këtë edhe do ta realizojmë plotësisht, bashkarisht!“.