Xhaferi: Investimi në arsim është investim në ardhmërinë evropiane të rinjve, për prosperitetin dhe përparimin e shtetit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka vizituar Universitetin e Tetovës, dhe në Rektorat është takuar me rektorin, prorektorët dhe senatin e Universitetit. Më pas Kryeministri Xhaferi vizitoi edhe konviktin studentor në Tetovë, i cili tashmë është vënë në funksion që nga nëntori i vitit të kaluar dhe ku në këtë vit akademik 2023/2024 qëndrojnë rreth 300 studentë.

Në vazhdim ju përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Xhaferi:

„Të nderuar deputetë, të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

I nderuar rektor, Jusuf Zejneli, kryetar i senatit,
 
I nderuari drejtor i Konviktit, Ajetali Dervishi,

I nderuar staf akademik,

Të dashur student,

Të nderuar të pranishëm, media dhe Ju qytetarë,
 
Sot jam këtu në vizitë të  Universitetit të Tetovës, i cili në 29 vitet e fundit ka dëshmuar se di të krijojë kuadro profesionale dhe të arsimuara, të vendosura lartë në të gjitha segmentet e shoqërisë.

Megjithatë, Universiteti Shtetëror nuk do të ishte i kompletuar pa angazhimin e Qeverisë për ndërtimin e konviktit të studentëve, në të cilin që nga nëntori i vitit të kaluar qëndrojnë rreth 300 studentë.

Konvikti Studentor i Tetovës është konvikti më i ri shtetëror i studentëve në vendin tonë dhe me të është plotësuar një nevojë e kamotshme e studentëve që studiojnë në Universitetet e Tetovës. Është një konvikt studentor që plotëson të gjitha standardet bashkëkohore të cilësisë. Është i pajisur me mobilje të reja dhe mund të thuhet se ky konvikt është më bashkëkohori në vend. I gjithë projekti ka kushtuar 243.200.000 denarë ose gati katër milionë euro.

Të nderuar,

Tetova me këtë konvikt studentorë tashmë ka një kampus të kompletuar universitar dhe Universiteti shtetëror mund të ofrojë shërbim të plotë për qytetarët akademikë. Jam i sigurt se do të tërheqë një numër dukshëm të shtuar studentësh në periudhën e ardhshme.

Krijimi i kuadrove profesional dhe të arsimuar që do të përsosen këtu në shtetin tonë dhe do e shndërrojnë diturinë e vet në sigurimin e ndryshimeve pozitive këtu në vend, është prioriteti ynë kryesor.

Pak më shumë se tre vjet më parë, Qeveria prezantoi për herë të parë një vakt të subvencionuar për studentët, si edhe kategori të reja të bursave studentore. Rreth 30.000 studentë firojnë vakt studentor, ndërsa 6.500 studentë pranojnë bursa studentore.

Studentët  janë përfshirë edhe me pakon e re të masave kundër krizës. Rreth 11.000 mijë studentë që jetojnë jashtë vendit të studimit fitojnë kupon për transport, për të cilin në buxhet janë ndarë rreth 2 milionë euro.

Përmirësimi i cilësisë së jetës së studentëve në vend, mbetet prioritet për të cilin janë siguruar mjete në vlerë prej 25 milionë euro për rikonstruktimin e të gjithë 9-të konvikteve shtetërore studentore në Shkup, Prilep, Manastir, Shtip dhe Ohër.

Në fund të vitit të kaluar u nënshkrua kontrata për renovimin dhe rikonstruksionin e të gjitha konvikteve studentore në shtet, duke filluar me etapa, prej Stiv Naumov dhe Kuzman Josifovski Pitu, e më pas edhe të tjerat.

Të nderuar,

Investimi në arsim cilësor është investimi më i mirë që mund të bëjmë për të gjithë ne. A do të kemi prosperitet dhe përparim në vend, varet nga mënyra se si i edukojmë të rinjtë në të. Me kontributin e tyre ata janë kapitali ynë bazë për rritjen dhe zhvillimin e vendit tonë. Nuk do të lejojmë që ai kapitali ynë të derdhet jashtë, përtej kufijve. Shteti jemi të gjithë ne së bashku, ndaj secili prej nesh duhet të japë maksimumin e vet për prosperitetin, rritjen dhe zhvillimin në shtëpi. Le të bëhemi të gjithë së bashku kreator të ndryshimeve pozitive në shoqëri.

Ju faleminderit për vëmendjen!“