Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u drejtua dhe e kryesoi seancën e parë konstituive të Këshillit nacional për zhvillim.
Në vijim po ju përcjellim deklaratën e plotë të Kryeministrit Xhaferi:
„Të nderuar anëtarë të Këshillit Nacional për Zhvillim,
Kemi një mundësi historike të punojmë në dokumentin strategjik më gjithëpërfshirës që nga pavarësia e shtetit- Strategjia nacionale për zhvillim, një dokument me të cilin do të trasohet rruga e zhvillimit të shtetit për 20 vitet e ardhshme.
Procesi i përgatitjes së Strategjisë nacionale për zhvillim ka filluar në janar të vitit 2021, me iniciativë të zëvendëskryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të ngarkuar për çështje Ekonomike dhe koordinimin e resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi.
Në kuadër të Sekretariatit të Përgjithshëm është krijuar një strukturë operative për mbështetjen e Strategjisë nacionale të zhvillimit.
Strategjia Nacionale e Zhvillimit e pasqyron gjithë përfshirjen e shtetit tonë. Ky proces përgatitej për gati tre vite, ku morën pjesë rreth 14.000 qytetarë, mbi 250 përfaqësues nga institucionet nacionale, 70 kryetarë komunash, 50 deputetë nga pushteti dhe opozita, përfaqësues të odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, mbi 500 përfaqësues të grupeve të margjinalizuara dhe të cenueshme, si dhe më shumë se 1000 të rinj dhe anëtarë të organizatave rinore.
Strategjia Nacionale e Zhvillimit përfshin aspektet ekonomike, sociale, ekologjike dhe kulturore të zhvillimit të shtetit tonë në dy dekadat e ardhshme.
Me Strategjinë Nacionale të Zhvillimit hapen mundësitë, por edhe krijohen kapacitete për qëndrueshmërinë e shoqërisë në menaxhimin e pasigurisë dhe rreziqeve në rritje në botë, si edhe për t'u përballur me trendët globalë, siç janë ndryshimet klimatike dhe transformimi digjital.
Tani kemi një udhërrëfyes sipas të cilit do të krijojmë se në çfarë lloj shteti duam të jetojmë, çfarë lloj shoqërie do të ndërtojmë në 20 vitet e ardhshme.
Procesi realizohet me asistencën eksperte dhe teknike të UNDP-së, në koordinim me Zyrën e Koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadën e Republikës së Sllovakisë.
Në kuadër të strategjisë janë përcaktuar 6 (gjashtë) fusha strategjike me synime dhe prioritete strategjike për secilën prej tyre.
Pas zbatimit të një procesi intensiv konsultativ, u miratua Ligji për Strategjinë nacionale të zhvillimit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 06.02 2024, me mbështetjen e deputetëve të pushtetit dhe opozitës nga pothuajse të gjitha partitë politike të përfaqësuara në dhomën ligjvënëse. I njëjti është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” më 09.02.2024.
Në mbledhjen e 4-të të Qeverisë të mbajtur më 13.02.2024, u mor Vendimi për themelimin e Këshillit Nacional për Zhvillim, si pjesë e strukturës drejtuese për Strategjinë Nacionale të Zhvillimit.
Në mbledhjen e 6-të të Qeverisë, të mbajtur më 20.2.2024, u miratua Vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit Nacional për Zhvillim.
Sot kemi nderin dhe detyrën të konstituojmë Këshillin Nacional të Zhvillimit.
Strategjia nënkupton një konsensus shoqëror për atë se cilat janë interesat tona shtetërore dhe si do t'i arrijmë të njëjtat. Të gjitha këto zotime janë në përputhje me aspiratat e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por gjithashtu fuqishëm e demonstrojnë përkushtimin drejt arritjes së Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Dokumenti strategjik do të na japë qartësinë dhe vizionin e nevojshëm për qëllimet zhvillimore të shoqërisë sonë. Tani të gjithë duhet të bëjmë përpjekje dhe të kontribuojmë, së bashku, për të ardhmen e vendit tonë.“