Në Qeveri e sot u nënshkrua marrëveshja për huamarrje në vlerë prej 26,4 milionë euro ndërmjet Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe operatorit maqedonas për menaxhim me sistemin elektroenergjetik SHA MEPSO, me qëllim përforcimin e rrjetit transmetues. Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i BERZH-it, Odil Rene Baso dhe nga drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Zuhdi Enuz. Në solemnitetin e nënshkrimit në Qeveri morën pjesë ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska dhe ambasadori evropian Dejvid Gir.
“Kam nder të veçantë që sot po krijohen parakushtet për realizimin e një projekti kapital energjetik në pjesën e rrjetit vendor për transmetim të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e transmisionit prej 110 kilovatë Valandovë – Strumicë dhe ndërtimin e nënstacionit të ri 400/100 kilovatë në fshatin Miletkovë, në afërsi të Gjevgjelisë. Realizimi i këtij projekti do të mundësojë fuqizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmetimit të SHA MEPSO në pjesën juglindore të vendit. Ndër përfitimet, dëshiroj të theksoj uljen e ndjeshme të humbjeve të energjisë elektrike dhe forcimin e stabilitetit dhe besueshmërisë së rrjetit, gjë që do të kontribuojë drejtpërdrejt në integrimin cilësor të numrit të shtuar të termocentraleve nga burimet e rinovueshme të energjisë, në rrjetin e operatorit maqedonas për transmetim të energjisë elektrike. Ky projekt është pjesë e tranzicionit të gjelbër të sektorit energjetik maqedonas, sepse përveç reduktimit të humbjeve të energjisë elektrike, infrastruktura e përforcuar e transmetimit do të mundësojë lidhjen e rreth 1.170 MW të burimeve të rinovueshme shtesë, të cilat për momentin nuk janë në funksion, për shkak të kapacitetit të kufizuar të rrjetit lokal të transmetimit të energjisë elektrike”, tha Sanja Bozhinovska, Ministre e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale pas nënshkrimit të marrëveshjes për huamarrjen.
“Projekti është i rëndësishëm për rrjetin e transmetimit të SHA MEPSO sepse do të ndikojë në uljen e humbjeve të energjisë elektrike me rreth 14.5 GWh, si dhe në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit për 8,158 tonë në vit. Për më tepër, projekti përfshin mbështetjen për zhvillimin e planit kryesor për të cilin do të identifikohen investimet kyçe në rrjetin, të cilat janë të nevojshme për vendosjen e burimeve të reja të rinovueshme dhe për të siguruar tranzicion të qetë drejt energjisë së gjelbër”, tha presidenti i BERZH-it, Odil Rene Baso.
“Investimi në linjat e transmetimit dhe inkuadrimi i rrjeteve të mençura është ndërhyrje kyçe politike në Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh se rrjeti në vend është gjeneralisht i vjetëruar dhe nevojitet zëvendësimi i tij. Padyshim që rindërtimi i rrjetit do të mbështetet nga sektori i biznesit, i cili do të inkurajohet të investojë në burimet e rinovueshme të energjisë”, tha ambasadori evropian Dejvid Gir.
Projekti do të përmbyllet me zhvillimin e një qendre për trajnim për operatorët e transmetimit të energjisë në pjesën jugperëndimore të vendit tonë, praktikisht rajoni më i prekur nga kalimi i vendit drejt tranzicion të gjelbër.
Vlera totale e projektit është 34.7 milionë euro. Nga këto, 26.4 milionë euro do të jenë huamarrje për SHA MEPSO nga BERZH, rreth 7.6 milionë euro janë grant nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe gjysmë milionë euro të tjera janë siguruar përmes Fondit të Investimeve Klimatike për përshpejtimin e tranzicionit nga qymyri.