E nderuara Rektore,
Të nderuar dekanë,
Të nderuar profesorë,
Të nderuar studentë,
Të dashur miq,
Sot qëndroj para jush jo vetëm si Kryeministër, por edhe si profesor ordinar i Fakultetit të Makinerisë në Universitetin tonë më të njohur, që mban emrin e ndriçuesve mbarësllavë, vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi. Një universitet që ka qenë gjithmonë qendra e dijes, zhvillimit dhe inovacionit në shtetin tonë. Shpesh kthehem në ambientet e fakultetit tim edhe sot me të njëjtën dëshirë që më drejtoi që kur fillova si asistent i ri më shumë se 2 dekada më parë.
Pikërisht këtu, në këtë mjedis akademik, kam forcuar bindjen time të mëparshme se arsimi nuk është vetëm një proces i të mësuarit dhe transferimit të njohurive, por se është një rrugëtim i jashtëzakonshëm jetësor që nuk përfundon asnjëherë, por vetëm mbindërtohet, ndryshohet dhe përshtatet me kalimin e kohës.
Siç ka thënë edhe filozofi i madh Aristoteli: “Rrënjët e arsimit janë të hidhura, por frytet janë të ëmbla”.
Kjo është pikërisht ajo që shohim sot – studentët luftojnë me sfidat e studimit, por në fund këmbëngulja e tyre është ajo që i çon ata drejt rezultateve të larta që tejkalojnë pritjet e tyre fillestare.
Të dashur miq,
Detyra jonë si shtet është të krijojmë kushtet në të cilat këto “rrënjë” nuk do të jenë aq të hidhura. Për këtë arsye, ne jemi të përkushtuar për projekte më konkrete që do të avancojnë cilësinë e arsimit të lartë. Së pari, planifikojmë të modernizojmë ndjeshëm kapacitetin infrastrukturor të universiteteve tona. Tashmë fillojmë angazhimet institucionale për rindërtimin e mëtejshëm të laboratorëve të disa fakulteteve në disa prej universiteteve tona në të gjithë vendin, ku do të vendosen pajisjet dhe teknologjitë më moderne që do t'u mundësojnë studentëve të fitojnë aftësi praktike në përputhje me nevojat e industrisë bashkëkohore.
Së dyti, fillojmë të formësojmë një projekt për digjitalizimin e administratës së universitetit, me qëllim që të lehtësojmë proceset e aplikimit, regjistrimit dhe vlerësimit. Kjo do të zvogëlojë burokracinë dhe do t'u japë profesorëve dhe studentëve më shumë kohë për t'u fokusuar në atë që është më e rëndësishme - arsimin.
Së treti, promovojmë programin për bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim të studentëve. Studentët dhe profesorët do të kenë më shumë mundësi për studime dhe kërkime në universitetet e huaja, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe aplikimin e praktikave më të mira nga bota në arsimin tonë. Kjo do të na ndihmojë të rrisim nivelin e kompetencës dhe inovacionit në institucionet tona. Është gjithashtu e rëndësishme të mbështesim profesorët tanë dhe t'i motivojmë që të vazhdojnë zhvillimin e tyre shkencor. Për këtë qëllim, sigurojmë fonde të shtuara për kërkimin shkencor dhe angazhohemi për krijimin e fondeve për mbështetjen e projekteve shkencore që do të inkurajojnë zhvillimin e teknologjive dhe inovacioneve të reja.
Të dashur studentë,
Ju jeni e ardhmja e këtij shteti.
Secili prej jush mbart në vete potencialin për të bërë ndryshim, për të krijuar diçka të re, diçka të madhe.
Shën Kirili dhe Metodi nuk është vetëm emri i universitetit tonë, ai është një simbol i rëndësishëm i dijes, një simbol i kulturës dhe historisë sonë.
Shfrytëzoni këtë kohë për të ndërtuar diçka kuptimplote për veten tuaj, për familjen tuaj, për vendin tuaj.
Qëllimi ynë është i qartë, të krijojmë një sistem arsimor që është në hap me kohën, që plotëson nevojat e shoqërisë dhe tregut të punës dhe që ju jep mundësinë për të qenë konkurrues në nivel global.
Dhe këtë do ta bëjmë së bashku – me përkushtimin tuaj dhe mbështetjen tonë.
Kryetari i Organizatës Studentore theksoi se do të ishin shumë të lumtur ta shihnin të ardhmen e tyre këtu në Maqedoni, dhe qëllimi ynë si profesorë dhe politikanë është t'ju frymëzojmë.
Do të vazhdojmë të punojmë atë që e punojmë dhe atë që dimë më mirë. Por dua t'ju dërgoj një porosi që në jetë asgjë nuk bie nga qielli dhe asgjë nuk është aq e thjeshtë sa duket në mediat sociale. Duhet të luftoni dhe duhet të luftoni çdo ditë. Duhet të luftoni çdo ditë më shumë në krahasim me një ditë më parë, vetëm në këtë mënyrë mund të keni sukses në emër të familjes dhe në emër të atdheut tuaj Maqedonisë.
Faleminderit dhe qofte ky vit vit i sukseseve, i dijes dhe i horizonteve te reja!
Zoti e bekoftë Maqedoninë”.