Minçev prezanton reformat kyçe në administratën publike

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot në konferencë për shtyp prezantoi reformat kyçe dhe zgjidhjet e propozuara ligjore, të cilat do të nënkuptojnë një moment të rëndësishëm që sjell ndryshime thelbësore në menaxhimin e sektorit publik.
Ministri Minçev theksoi se ligjet e reja – Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik, Ligji për Nëpunësit Administrativë, Ligji për Aftësimin Profesional dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativë dhe Ligji për Mbikëqyrjen Inspektuese – janë baza për depolitizimin, profesionalizimin dhe rritjen e efikasitetit të administratës publike.
Në fjalimin e tij, ministri Minçev theksoi se këto zgjidhje ligjore janë rezultat i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, me përfshirjen e ekspertëve, organizatave qytetare, sindikatave, komunitetit akademik, BNJVL-në dhe partnerëve ndërkombëtarë përmes debateve publike dhe konsultimeve.
Ministria angazhohet për:

  • Depolitizimin e administratës publike, duke siguruar që punësimet të bazohen në meritë dhe kompetenca;
  • Procedura transparente të punësimit, me konkurse publike dhe një proces të drejtë përzgjedhjeje;
  • Trajnim dhe zhvillim të vazhdueshëm, përmes një Akademie të re për Administratën;
  • Racionalizim dhe kursim të mjeteve buxhetore, përmes riorganizimit të organeve inspektuese;
  • Monitorim objektiv të performancës dhe avancim të nëpunësve administrativë.

Një nga ndryshimet kryesore është kalimi i Agjencisë për Administratë nën kompetencën e Ministrisë, gjë që do të sigurojë një bashkërendim dhe përgjegjshmëri më të madhe.
Si pjesë e reformave, u paralajmërua gjithashtu harmonizimi i pagave të nëpunësve administrativë me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, që do të çojë në rritje mesatare prej 8% nga 1 marsi 2025.
"Me këto reforma, dëshmojmë se administrata publike është një shërbim për qytetarët dhe jo një mjet për interesa politike. Ky është një hap përpara drejt një administrate moderne dhe profesionale, e cila do të përmbushë standardet evropiane," – deklaroi ministri Minçev.
Pas përfundimit të konferencës për shtyp, ligjet e propozuara do të publikohen në platformën ENER për konsultim të mëtejshëm publik.
Ministria e Administratës Publike fton qytetarët të ndjekin këtë proces dhe të japin kontributin e tyre në reformat që do ta çojnë Maqedoninë drejt standardeve evropiane.