Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, i tha deputetit Blerim Bexheti nga BDI se nuk do të lejojë që presionet politike të shkelin ligjin dhe theksoi përkushtimin e Ministrisë për Administratë Publike për zbatimin e reformave të bazuara në ligj dhe transparencë.
"Zotëri Bexheti, ju kuptoj plotësisht se duhet të hapni tema me karakter etnik, duke pasur parasysh situatën në partinë dhe koalicionin tuaj. E kuptoj që kjo është e domosdoshme në kontekstin e largimit të partnerëve tuaj nga fronti evropian, përçarjes së anëtarësisë së BDI-së në koalicionin ‘VLEN’, si dhe kalimit të shumë prej tyre në struktura të tjera politike. Po ashtu, e kuptoj nevojën për të hapur tema për shkak të situatës aktuale me funksionarët tuaj që gjenden në listën e zezë të Departamentit të Shtetit" – deklaroi ministri Minçev.
Sa i përket mjetit digjital "Balancuesi", Minçev sqaroi:
"Balancuesi ishte një mjet digjital i futur në vitin 2015 si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Megjithatë, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2024, ky mjet është shfuqizuar. Qëndrimi im është se Balancuesi, që duhej të siguronte përfaqësim të drejtë, është keqpërdorur për qëllime politike. Ministria, nën drejtimin tim, ka bërë korrigjime për të rikthyer zbatimin e drejtë në përputhje me Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, i cili kërkon respektimin e përfaqësimit etnik bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë."
Ministri Minçev gjithashtu përmendi shembuj të keqpërdorimeve në emërimet e punësuarve:
"Agron, Fatmir dhe Ismet u regjistruan si emra maqedonas, Angele dhe Stojan si emra shqiptarë, ndërsa Zoran si emër boshnjak – këto janë vetëm disa nga rastet flagrante të keqpërdorimit të Balancuesit." – theksoi ai, duke shtuar se Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe profesionalizim të sektorit publik, në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.