Murtezani: Reformat nuk janë kusht por obligim ndaj qytetarëve

I nderuar Kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të mediave, shoqëri civile,
Të nderuar Shkëlqesi,
Çdo proces i reformave fillon me një hap, por mbi të gjitha me mirëkuptim. Mirëkuptim për arsyet, nevojat, pasojat. Pa mirëkuptim të vërtetë, ndryshimi mbetet në letër. Ndërkaq pa ndryshim, e ardhmja nuk merr formë. Këtu jemi sot për të mos përsëritur atë që çfarë është thënë, por për të thelluar mirëkuptimin tonë. Çdo strategji për transformimin shoqëror duhet të fillojë me një pyetje thelbësore: a jemi të përgatitur jo vetëm për të krijuar të ardhmen, por edhe thellësisht për të kuptuar natyrën e saj? Sepse, pa kuptimin sistematik të kontekstit në të cilin po veprojmë, reformat rrezikojnë të mbeten deklarative, në vend që të rrënjëzohen si përfitime afatgjate shoqërore.
Reformat që po i zbatojmë për periudhën 2024–2027 janë pjesë e një pikture më të madhe. Ato nuk synojnë vetëm ti plotësojnë kërkesat e Komisionit Evropian. Ato synojnë për çdo qytetar që dëshiron arsimim të qasshëm, administratë efikase, ajër të pastër, drejtësi të ndershme dhe punë të vyeshme. Agjenda e reformave është më shumë se dokument programor. Është kornizë konceptuare për ripërcaktimin e logjikës institucionale të shtetit, mënyrë për të kapërcyer zbrazëtirat sistematike mes ligjit dhe drejtësisë, mes politikës dhe interesit publik, mes politikave ekonomike dhe zhvillimit njerëzor.
Për këtë qëllim, Agjenda përfshin prioritetet më të rëndësishme: sundimin e së drejtës, transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër, përforcimin e kapitalit njerëzor dhe qeverisjen e mirë. Por, esenca e vërtetë qëndron në atë se si këto fjalë bëhen realitet. Filluam me hapa konkretë: ligje të reja për transparencë buxhetore, zbatimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, planet operative për tranzicionin energjetik, reformimin e arsimit profesional. E gjithë kjo nuk është vetëm për shifra në raporte, por për të mundësuar të nesërme më të mirë për të rinjtë që ulen sot mes nesh.
Mediat dhe organizatat e shoqërisë civile kanë rol të veçantë, jashtëzakonisht të rëndësishëm: të ndërtojnë urë mes institucioneve dhe publikut. Kritika juaj, përkushtimi juaj ndaj të vërtetës, vëmendja juaj ndaj detajeve janë korrigjuesi më i fuqishëm i çdo qeverie. Në këtë agjendë ka vend edhe për ju. Jo si vëzhgues, por si partnerë. Po të rinjtë? Ata nuk janë vetëm e ardhmja. Ata janë zëri që duhet të dëgjohet sot. Për ta, kjo agjendë reformuese duhet të nënkuptojë se nuk do të duhet të largohen diku, për të gjetur mundësi. Ata do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë vend, me pjesëmarrje, ide dhe vizion.
Më lejoni të theksoj: e ardhmja nuk ndodh, ajo ndërtohet. Ndërkaq në ndërtimin tonë medoemos të mbështetemi në të dhënat, sigurinë juridike, bashkëpunimin institucional dhe komunikimin e vazhdueshëm publik. Përmes vendosjes së kornizave të reja ligjore për prokurorinë publike dhe këshillat gjyqësorë, përmes krijimit të qendrave rajonale për arsimin profesional, përmes krijimit të modeleve për ekonomi inovative dhe të gjelbër, ne nuk po ndërtojmë “evropianizimin në letër”, por zhvillimin që matet me besim, gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri.
Të nderuar të pranishëm,
Mirëkuptimi nuk vjen përmes fjalimeve, por përmes dialogut. Prandaj, kjo tryezë e rrumbullakët është thirrje për bashkëpunim. Ti njohim sfidat e përbashkëta dhe të ndërtojmë zgjidhjet së bashku. Dhe ky mirëkuptim le të jetë pikënisja për të ardhmen që meritojmë.
Si Ministër për Çështje Evropiane, unë këtë agjendë nuk e koordinoj vetë. Është përpiluar, formësuar dhe e zbatuar bashkërisht me institucionet, me mbështetjen e BE-së, por edhe me zërin e qytetarëve. Përgjegjësia e Ministrisë për Çështje Evropiane është që të sigurojë ekspertizë, efikasitet dhe dukshmërinë e Agjendës Reformuese, mes aktiviteteve tjera të rregullta. Si Ministri për Çështje Evropiane, ne mbetemi plotësisht të hapur për dialog, konsultim dhe bashkërisht po veprojmë. Kemi obligim ta përfaqësojmë vendin para BE-së, por kemi edhe obligim ta përfaqësojmë Unionin para qytetarëve, përmes vlerave, parimeve dhe veprimeve.
Për në fund, do të them një gjë: e ardhmja nuk është çështje e vendimeve të vonuara, por hapa të përgjegjshme në kohë. Ajo formësohet sot, përmes mirëkuptimit të thelluar dhe vullnetit të përbashkët. Dhe jo vetëm nga Qeveria, por nga të gjithë ata që besojnë se Maqedonia e Veriut ka kapacitet dhe të drejtë për sukses.